E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Asociacioni/ Petkoviç: Presioni i SHBA mbi Prishtinën meritë e Beogradit, po përpiqemi të mbrojmë serbët në Kosovë

Drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, teksa ka komentuar propozimin e planit të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës, u shpreh se Serbia po lufton ditë e natë për interesat e Beogradit, por hapësira për manovrim sipas tij, është në majë të gjilpërës. Petkoviç shtoi se, Serbia po përpiqet të mbrojë qytetarët e saj në Kosovë.

Më tej, ai theksoi se është meritë e Beogradit që Perëndimi po ushtron presion mbi Prishtinën teksa shtoi se Evropa nuk dëshiron një konflikt tjetër në territorin e saj.

“Presioni i Perëndimit ndaj Prishtinës është rezultat i politikës së Aleksandër Vuçiçit, ne po mundohemi të mbrojmë serbët në Kosovë, po përdorim të gjitha mjetet legjitime për të mbrojtur interesat tona”, tha Petkoviç.

Sakaq, Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, shprehu bindjen te arritja e një zgjidhje në të mirë të Serbisë dhe qytetarëve të saj në Kosovë.

“Nuk është problem kur shumë prej tyre sulmojnë njërin, por është problem kur shumë prej tyre kërkojnë ndihmën e të tjerëve për të luftuar kundër atij. Dhe kaq shumë, dhe kjo vjen, ne do të fitojmë së bashku dhe do të fitojmë si Serbia”, tha Vuçiç.

Përfaqësues të institucioneve të qeverisë së Kosovës dhe të opozitës zhvilluan ditën e djeshme një takim në Ambasadën amerikane, ku u diskutua në lidhje me Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Në diskutim morën pjesë zyrtarë të Kosovës, liderë të partive politike, pjesëtarë të shoqërisë civile dhe diplomatë.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë të banuara me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë. 

/rtsh.al/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›