At Pjetër Meshkalla, kleriku i persekutuar prej regjimit komunist

TIRANË, 25 shtator/ATSH/ Më 25 shtator të vitit 1901 lindi në Shkodër at Pjetër Meshkalla.
Pas përfundimit të ciklit të studimeve teologjike në Austri, në Slloveni, si dhe në Fakultetin e Filozofisë në Napoli, nisi të japë mësim në Seminarin Papnor në Shkodër. Themeloi rrethet “Don Bosko” dhe “Shën Pjetri”, që u bënë qendra të rëndësishme të edukimit të rinisë së kohës.
Meshkalla nuk pajtohej me asnjë palë pushtuese, qoftë e ardhur nga Perëndimi, apo nga Lindja. Nën Italinë fashiste, shprehte pa ngurrim pikëpamjet atdhetare nëpërmjet predikimeve publike dhe shkrimeve të shumta. Gjatë pushtimit nazist, ndihmoi në strehimin e popullatës së Tiranës dhe të mjaft hebrenjve, në kushtet e reprezaljeve dhe të bombardimeve.
Në Shqipërinë komuniste nuk mundi t’i shpëtonte listës së zezë të “armiqve të popullit”. Në vitin 1947, at Pjetër Meshkalla u dënua me 15 vjet burg. Në vitin 1967 u ridënua me 10 vite të tjera, ndërsa në vitin 1978 do të internohej në Vlorë.
Pati kurajon të shkruante një promemorie drejtuar diktatorit Enver Hoxha, ku nënvizonte persekutimin e klerit dhe të popullsisë katolike. Simboli i shquar i martirizimit vdiq më 28 korrik 1988. Jezuitët, shoqëri së cilës i përkiste, i kanë vënë emrin e tij një shkolle të mesme në Shkodër, e cila është vijuese e Kolegjit të famshëm Saverian.
/j.p/r.e/