Atentat anëtarit të Gjykatës së Lartë,kush është Adrian Nuni

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e vona të mbrëmjes afër Komunës së Parisit. Anëtari i Gjykates se Larte, Ardian Nuni, 40 vjeç, është qëlluar me armë zjarri duke zbritur nga makina pranë shtëpisë së tij. Adrian Nuni ishte kthyer nga një darkë me miqtë kur është qëlluar nga tre plumba,dy prej të cilët kanë prekur gjyqtarin, një në krah dhe një në kofshë. Menjëherë Nuni është dërguar në spital Ushtarak ku mjekët thonë se është jashtë rrezikut për jetën. Një grup specialist të hetimit kanë shkuar në vendngjarje për të mbledhur provat si dhe janë marrë në pyetje 10-15 persona dëshmitarë okularë. Për këtë ngjarje ka reaguar edhe zv kryetari i KLD-së Kreshnik Spahiu i cili shprehet se atentati ndaj Ardian Nunit është një goditje për drejtësinë shqiptare dhe duhet të hiqet dorë nga agresioni kundër gjyqësorit.Sipas Spahiut mafia po sulmon ashpër gjyqësorin. Gjithashtu Spahiu e quajti gjyqëtarin Ardian Nuni simbol i drejtësisë. Ardian Nuni është anëtar i Gjykatës së Lartë, ka lindur në Korçë më 01 janar 1969. Është diplomuar për drejtësi në Universitetin e Tiranës në vitin 1991. Në vitin 1997 ka marrë gradën shkencore "Doktor i Shkencave Juridike" dhe në vitin 2004 titullin "Profesor i Asociuar" . Z. Nuni është emëruar gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Korçë në vitin 1991, ndërsa në vitet 1992-1993 ka punuar fillimisht si gjyqtar dhe pastaj zëvendëskryetar i Gjykatës së Rrethit Tiranë. Nga viti 1993 deri në vitin 2007 ka qenë pedagog i brendshëm në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, ku ka ushtruar funksionin e zëvendësdekanit të fakultetit (1993-1996 dhe 2003-2007) dhe funksionin e përgjegjësit të Departamentit të së Drejtës Civile (2002-2007). Z. Nuni ka kryer disa kualifikime pasuniversitare jashtë shtetit në fushën e së drejtës, ka qenë anëtar i senatit të Universitetit të Tiranës dhe i një vargu organizatash të tjera profesionale. Ai është autor dhe bashkautor i disa librave dhe monografive në fushën e të drejtës civile dhe ka dhënë mësim në programe universitare dhe pasuniversitare. Nga viti 1993 deri në vitin 2007 ka ushtruar profesionin e avokatit pranë Dhomës së Avokatisë Tiranë dhe nga viti 1998 e në vazhdim është pedagog i jashtëm i Shkollës së Magjistraturës. Me vendimin nr. 48, datë 13.07.2006 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë është emëruar anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, funksion nga i cili u largua me dorëheqje për shkak të emërimit si anëtar i Gjykatës së Lartë. Me dekretin nr. 5252, datë 04.04.2007 të Presidentit të Republikës është emëruar anëtar i Gjykatës së Lartë.