E Enjte, 5 Nëntor 2026

Atentat me armë zjarri në Shkodër me 2 të vdekur, humb jetën aksidentalisht edhe një qytetar

TIRANË, 30 tetor /ATSH/ Policia njoftoi mbrëmjen e sotme se rreth orës 15:50, në aksin rrugor “Shkodër-Koplik”, në Dobraç, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti tip Benz, në lëvizje, me të cilin qarkullonin shtetasit H. L. dhe A. B.

Si pasojë e të shtënave ka humbur jetën shtetasi H. L., dhe është plagosur rëndë shtetasi A. B.

Automjeti që udhëtonin shtetasit H.L dhe A.B, dyshohet ka humbur kontrollin dhe për pasojë ka përplasur një motoçikletë me të cilën udhëtonte shtetasi B.B dhe bashkëshortja e tij shtetasja F.B,  ku si pasojë e përplasjes së automjetit me motomjetin ka ndërruar jetë shtetasja F.B dhe ndodhet në gjendje të rëndë në spital shtetasi B.B

Pas disa orësh në gjendje të rëndë, Arlind Bushati ndërroi jetë në spital. Kështu, raportohet për 3 të vdekur, Hamza Lici, Arlind Bushati dhe Flutura Basha, ndërsa po lufton për jetën bashkëshorti i saj Bashkim Basha.

Në vendngjarje kanë shkuar shërbime të shumta të Policisë dhe Forca Kombëtare e Sigurisë Njësia Shkodër, si dhe janë nisur në ndihmë 2 grupe të Repartit Special “RENEA”.

Policia njoftoi se është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe në drejtimin e Prokurorisë vijojnë intensivisht hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe sigurimin e provave, me qëllim dokumentimin ligjor të rastit, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Po në ndihmë të grupit hetimor është nisur dhe Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale me një  grup specialistësh të Drejtorisë për Hetimin e  Krimeve të Rënda

Ndërkohë, shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën dhe vijojnë kontrollet në terren dhe në  ambiente të ndryshme, si dhe kanë ngritur pika kontrolli, për të bërë të mundur kapjen e  autorëve.

Policia po ashtu, sqaroi më pas se nga kontrolli i ushtruar në automjetin që udhëtonin shtetasit H. L., dhe A. B., u gjetën 3 armë zjarri (pistoleta). Ndërkohë shërbimet e Policisë gjatë kontrollit të zonës për kapjen e autorëve, në fshatin Golem kanë konstatuar të djegur plotësisht një automjet tip “Range Rover” dhe 2 armë zjarri automatike. Grupi i posaçëm hetimor në drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, po vijon punën për zbardhjen e rrethanave, sigurimin e provave me qëllim dokumentimin ligjor të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›