Atentat në Sarandë, ekzekutohet me armë zjarri pronari i një karburanti

Një atentat me armë zjarri është shënuar mbrëmjen e sotme në zonën e Gjashtës në Sarandë, ku viktimë ka mbetur 66-vjeçari Rexhep Ismaili.
Sipas informacioneve paraprake, Ismaili është qëlluar me armë zjarri pranë pikës së karburantit në pronësi të tij dhe dyshohet se ka marrë një plumb në kokë, çka i ka shkaktuar vdekjen.
Mësohet se Rexhep Ismaili ishte pronar i një karburanti në zonë, si edhe mbante postin e kryetarit të Shoqata Çamëria për degën e Sarandës.
Menjëherë pas ngjarjes, në vendin e atentatit kanë mbërritur forca të shumta policie, ndërsa grupi hetimor ka nisur punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe identifikimin e autorëve.
Deri tani nuk ka informacion zyrtar mbi motivet e vrasjes, ndërsa zona është rrethuar dhe po kryhen kontrolle për kapjen e personave të përfshirë.
