E Diel, 1 Nëntor 2026

Atentati i dështuar në Elbasan, autori: U hakmora për vëllain e plagosur. Shënjestra: Jetojmë në një lagje, s’kishim asnjë problem

Policia e Elbasanit menjëherë pas arrestimit të autorit të atentatit të dështuar gjatë së shtunës, mori dëshmitë e para të autorit dhe shënjestrës.

Burime nga grupi hetimor bënë me dije, se autori i ngjarjes, 52-vjeçari Poli Boriçi, tha para efektivëve, se gjithçka e kryer për tu hakmarrë, duke qenë se shënjestra, 50-vjeçari Ermir Kërtezi i kishte plagosur të vëllain disa vite më parë.

Ndërsa shënjestra e atentatit të dështuar, tha përpara grupit hetimor, se marrëdhëniet mes dy familjeve ishin normalizuar dhe se të dyja banonin pranë njëra-tjetrës, ku nuk kanë pasur probleme për një dekadë e gjysmë.

Pavarësisht deklarimeve të të dy palëve, Policia ka nisur hetimet edhe për pista të tjera, ku nuk përjashtohet ndonjë konflikt i mundshëm i kohëve të fundit të Boriçit me Kërtezin.

Atentati i dështuar u regjistrua mesditën e së shtunës, në një lokal në mes të qytetit, ku autori u çua nga tavolina ku po konsumonte kafe, dhe i drejtoi armën shënjestrës, por fatmirësisht arma e zjarrit u bllokua dhe objektivi shpëtoi, ku më pas u largua me vrap.

Autori u largua nga vendi i ngjarjes, por policia e lokalizoi dhe e arrestoi.

Gazetare: Flutura Tota

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›