Atentati me dy viktima në Rinas/ Prokuroria do të pyesë edhe Emiliano Shullazin

Prokuroria e Tiranës do të marrë në pyetje Emiljano Shullazin në lidhje me atentatin në Rinas, ku mbeti i vrarë Gilamando Dani dhe ish agjenti i AMP-së, Muçi Shaljani, ngjarje e ndodhur më 11 nëntor 2025.
Shullazi do të pyetet nëse ka dyshime për persona të caktuar që kanë organizuar atentatin ndaj mikut të tij Gilmando Dani.
Ndërkohë, ditët e fundit janë marrë dëshmitë e disa personave që janë gjendur në Rinas, pasi ka dyshime se grupi kriminal ka patur informatorë në aeroport që i ka njoftuar për lëvizjet e viktimave.
DINAMIKA E ATENTATIT
Makina “Toyota Yaris” e autorëve, priti fiks 10 minuta pranë rrethrrotullimit, e ndaluar dhe me bllokazh. Brenda saj 3 qitës, dhe 1 tjetër në rolin e shoferit.
Sapo makina e Danit që drejtohej nga miku i tij Shaljani, është afruar dhe ka qenë paralel me ta, atentatorët kanë qëlluar me breshëri plumbash nga 3 kallashnikovë të ndryshëm.
Që puna e nisur të kryhej deri në fund, një prej tyre, doli nga makina, iu afrua derës së pasagjerit duke qëlluar me pistoletë, për t’u garantuar përfundimisht se shënjestra, Gilmando Dani, nuk kishte shpëtuar.
Grupi i vrasësve dyshohet se ishte nisur nga Nikla përmes rrugës së re te Ura e Tubit, e cila lidh fshatrat e Fushë Krujës me Rinasin. E njëjta u përdor edhe në kthim.
Në kohën që makina ka kaluar drejt aeroportit, por dhe në arratisje, zona pranë itinerarit të rrugës ka qenë pa energji elektrike.
Hetuesit dyshojnë që autorët të kenë gisht, pasi kamerat e sigurisë, kishin dalë jashtë loje, pa mundur të filmojnë lëvizjen e makinës që më vonë u gjet e djegur, në një rrugicë të ngushtë në fshatin Halil.
Atentati, qartazi është realizuar sipas një skemë të mirëstrukturuar, por se kush qëndron pas, është dhe sfida më e madhe e hetimit.