E Enjte, 5 Nëntor 2026

Atentati në Shkodër, ndërron jetë në spital edhe drejtuesi i motomjetit

TIRANË 3 nëntor /ATSH/ Shkon në 4 numri i viktimave në atentatin në Shkodër në 30 tetor.

Në vijim të informacionit të dhënë më 30 tetor, për ngjarjen e ndodhur në aksin  rrugor “Shkodër-Koplik”, në Dobraç, Policia informoi se ka humbur jetën në Spitalin Rajonal Shkodër edhe shtetasi B.B., 67 vjeç, drejtuesi i motomjetit që u përplas  nga automjeti i shtetasve H. L dhe A. B, të cilët humbën jetën si pasojë e plagëve nga të shtënat me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar.

Grupi i posaçëm hetimor në drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, po vijon intensivisht hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes,  identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Më 30 tetor rreth orës 15:50, në aksin rrugor “Shkodër-Koplik”, në Dobraç, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti tip Benz, në lëvizje, me të cilin qarkullonin shtetasit H. L. dhe A. B.

Si pasojë e të shtënave ka humbur jetën shtetasi H. L., dhe është plagosur rëndë shtetasi A. B.

Automjeti që udhëtonin shtetasit H.L dhe A.B, dyshohet ka humbur kontrollin dhe për pasojë ka përplasur një motoçikletë me të cilën udhëtonte shtetasi B.B dhe bashkëshortja e tij shtetasja F.B,  ku si pasojë e përplasjes së automjetit me motomjetin ka ndërruar jetë shtetasja F.B dhe pas disa ditësh i shtruar në spital në gjendje të rëndë edhe shtetasi B.B. /j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›