Athinë, përplasje me armë mes policisë dhe 4 shqiptarëve
Mediat greke raportojnë për një përplasje me armë mes katër personave dhe policisë greke. Ngjarja ka ndodhur në zonën Kokinos Milos, ku në grup i policisë DIAS i ka dhënë shenjë një makine të ndalonte, por personat që ishin në të kanë qëlluar me armë kallashnikov dhe janë larguar me shpejtësi. Policët e patrullës nisën ndjekjen e tyre, ndërkohë që njoftuan përforcime të tjera dhe helikopterët.
Katër personat, të cilët sipas të dhënave janë shqiptarë, u fshehën në varrezat e lagjes, ku u rrethuan nga policia. Gjatë shkëmbimit të zjarrit, tre shqiptarë u larguan, ndërsa njëri ka rënë në prangat e policisë. Shqiptari i arrestuar është një i dënuar i burgut të Trikalas për trafikim droge dhe ishte arratisur një ditë më parë me ndihmën e tre personave të armatosur nga spitali i qytetit, ku u dërgua me emergjencë për disa probleme shëndetësore.
Policia beson se personat që arritën ta shpëtojnë mbrëmë nga ndjekja, janë bashkëpunëtorët që e ndihmuan bashkatdhetarin e tyre të arratisej nga spitali.
13 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)
Athinë, përplasje me armë mes policisë dhe 4 shqiptarëve burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip