Atraksionet e Gjinarit tashmë më të aksesueshme, Llatja për ATSH-në: Shtim i bujtinave dhe rritje e numrit të turistëve

TIRANË, 9 shkurt/ATSH/ Gjinari, një nga destinacionet më të bukura të Elbasanit, ka kaluar në një fazë të rëndësishme zhvillimi, falë investimeve të shumta që kanë për qëllim përmirësimin e infrastrukturës dhe promovimin e turizmit.
Kryetari i bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, në një intervistë për ATSH-në theksoi rëndësinë e këtyre projekteve, të cilat përfshijnë rehabilitimin e rrugëve, ndërtimin e kanalizimeve, trotuareve dhe ndriçimit, si dhe krijimin e një parku shplodhës dhe këndi lojërash për fëmijët.
Fusha e Kuqe, e njohur për aktivitetet sportive, ka marrë një pamje të re dhe tërheqëse, duke ofruar një mundësi të shkëlqyer për vizitorët dhe banorët.
“Një nga projektet kyçe është rehabilitimi i rrugës që të çon në Liqenin e Pashtreshit, një destinacion natyror i rëndësishëm për vizitorët. Ky investim ka për qëllim përmirësimin e aksesit dhe krijimin e një infrastrukture më të mirë, e cila mundëson vizita të reja gjatë gjithë vitit, përfshirë dimrin, kur Gjinari ofron një pamje magjepsëse me borë dhe ajër të freskët”, tha Llatja.
Liqeni i Pashtreshit, një nga pasuritë më të mëdha natyrore të zonës, po shndërrohet në një atraksion të rëndësishëm për turistët.
“Ky projekt është realizuar në bashkëpunim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit, dhe është pjesë e një iniciative më të gjerë për rehabilitimin e sheshit të Gjinarit dhe përmirësimin e kushteve për turistët”, theksoi Llatja.
Një projekt tjetër i rëndësishëm është ndërtimi i një segmenti rrugor me gurin karakteristik të Gjinarit, i cili lidh të gjitha pjesët e qendrës së fshatit, deri te Lapidari, një monument historik i rëndësishëm për këtë zonë. Pjesë e këtij projekti është gjithashtu ndërtimi i muzeut dhe një qendre informacioni për zonën e Shpatit, ku do të shpalosen traditat dhe kultura e pasur e kësaj zone.
Llatja tha se me gjithë vonesat për shkak të shpronësimeve, puna ka avancuar dhe projektet janë në rrugën e duhur për të kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm të Gjinarit.
“Një tjetër zhvillim i dukshëm në këtë periudhë është rritja e numrit të bujtinave. Vetëm në vitet e fundit, janë shtuar rreth 30 bujtina në zonë, të cilat ofrojnë mikpritje të ngrohtë dhe kushte komode për turistët gjatë gjithë vitit. Bujtinat, të cilat ruajnë tiparet tradicionale të ndërtimeve të zonës, ofrojnë mundësi për të shijuar natyrën e bukur dhe ushqimin lokal, duke kontribuar në ekonominë e zonës dhe tërheqjen e turistëve vendas dhe të huaj. Disa prej bujtinave gjithashtu ofrojnë mundësi për aktivitete në natyrë, si ecje malore dhe eksplorim të shtigjeve të paeksploruara të Bukanikut, një tjetër atraksion i njohur i Gjinarit”, nënvizoi Llatja.
Sipas tij, përfitimet nga kjo rritje e numrit të bujtinave janë të dukshme për ekonominë lokale.
“Ata që janë të angazhuar në këto bujtina, si dhe ata që kanë vendosur t’i kthejnë shtëpitë e tyre në biznese mikpritëse, kanë mundësinë të rrisin të ardhurat dhe të kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në Gjinar. Ky fenomen është gjithashtu një faktor kyç për shtimin e numrit të turistëve të huaj, të cilët janë gjithnjë e më të interesuar për të vizituar këtë pjesë të Shqipërisë, e cila po bëhet një destinacion i njohur për vizita natyrore dhe kulture”, tha Llatja.
Numri i turistëve që vizitojnë Gjinarin është rritur ndjeshëm, me shumë prej tyre që vijnë nga shtete si Holanda, Gjermania dhe Greqia. Gjinari ofron një klimë të këndshme gjatë gjithë vitit, dhe turizmi malor është një nga atraksionet kryesore të zonës. Përveç turizmit tradicional, aktivitetet si ecja në natyrë dhe eksplorimi i shtigjeve malore, si ato që çojnë në Bukanik, janë gjithashtu pjesë e ofertës së Gjinarit.
Gjithashtu, një projekt i ri i iniciuar nga një i ri i zonës, Erald Bezhani, ka sjellë një tjetër mundësi për turistët, me motora ATV që mundësojnë eksplorimin e zonave të paprekura të malit të Bukanikut dhe Gjinarit.
Ky projekt ka tërhequr shumë vizitorë, duke u bërë një atraksion i veçantë dhe një mundësi për të përjetuar bukurinë natyrore të zonës në një mënyrë të re dhe interesante.
Përfundimisht, investimet e shumta dhe zhvillimi i turizmit në Gjinar kanë krijuar mundësi të reja për ekonominë lokale dhe kanë ndihmuar në rritjen e numrit të vizitorëve, duke e shndërruar këtë zonë të pasur me natyrë dhe kulturë në një destinacion gjithnjë e më tërheqës dhe të zhvilluar.
Kryebashkiaku Llatja e ka cilësuar këtë si një premtim të mbajtur për komunitetin dhe një hap të rëndësishëm për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit dhe përmirësimin e kushteve të jetesës.
Krahina e Shpatit, ku bën pjesë Gjinari, ka një histori të gjatë. Është e banuar që nga koha e bronxit dhe këtë e dëshmojnë objekte të ndryshme të zbuluara nga arkeologët. Fshati i parë që ndeshet në rrugën për në Gjinar është Shelcani. Nuk duhet humbur rasti për të vizituar në këtë fshat kishën e Shën Kollit (Shën Nikollës), e cila është ndërtuar në shekullin e XVI. Për afreskët e saj punoi një prej ikonografëve më të famshëm të Shqipërisë së vjetër, Onufri. Kjo kishë është befasuese për vizitorët, sepse në mënyrë të pavetëdijshme të krijon një kënaqësi estetike dhe admirim të veçantë.
Të tjera objekte të trashëgimisë kulturore janë Kisha e Valeshit (Kisha e Shën e Premtes), Kisha e Gjinarit, Kisha e Pashtreshit, Kisha e Sterstanit, Kisha e Shën e Premtes në Valësh e cila është ndërtuar në mesjetë dhe pikturuar në tërë faqet e murit po nga Onufri (1554) në stilin bizantin. Gjithashtu, kjo kishë ka pranë Kalanë e Valeshit dhe Varrin e Kostandin Shpatarakut.
1 nga 11/k.s/j.p/