Australian Open – Novak Gjokoviç tërhiqet pas setit të parë, Zverev në finale

SIDNEJ, 24 janar /ATSH/ – Spektatorët fishkëllyen tenistin e dëmtuar Novak Gjokoviçin teksa largohej nga fusha e Rod Laver Arena pasi u tërhoq një set larg gjysmëfinales së tij në Australian Open kundër Alexander Zverev, shkruan AP.
Duke ”luftuar” me atë që ai e përshkroi si një tërheqje muskulore, Gjokoviç humbi setin e hapjes 7-6 (5) e më pas shtrëngoi duart me Zverev.
37-vjeçari Gjokoviç paketoi pajisjet e tij dhe u drejtua për në dhomën e zhveshjes, duke ndaluar për t’iu përgjigjur talljeve me dy gishtat e mëdhenj.
Në konferencën e tij për shtyp, Gjokoviç tha se dhimbja në këmbën e tij të majtë të fashuar po “përkeqësohej gjithnjë e më shumë”.
Ai u lëndua gjatë fitores së tij çerekfinale ndaj Carlos Alcaraz të martën mbrëma.
“E dija, edhe nëse do të fitoja setin e parë, do të ishte një betejë e madhe e vështirë për mua”, shtoi tenisti.
Ai synonte kampionatin e tij të 11-të të Australian Open dhe një titull rekord të 25-të Grand Slam në përgjithësi.
Por kjo është hera e dytë në katër turnetë e fundit të mëdhenj që ai nuk arrin të përfundojë për shkak të dëmtimit: ai u tërhoq nga French Open vitin e kaluar para çerekfinales sepse dëmtoi meniskun në gjurin e tij të djathtë gjatë një loje. /os/