E Enjte, 5 Nëntor 2026

Autonomia spitalore, Koçiu: Reformë e domosdoshme, 400 konsulta nga praktika e dyfishtë në Spitalin Memorial Fier në 7 muajt parë të 2024-ës

TIRANË, 10 shtator/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, gjatë prezantimit sot të ndryshimeve në ligjin për “Urdhrin e Mjekëve në Republikën e Shqipërisë” në Komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, u ndal edhe te reforma e autonomisë spitalore, e cila ka filluar aplikimin prej dy vitesh në Spitalin Rajonal Memorial të Fierit.

Prej fillimit të këtij viti autonomia spitalore ka filluar edhe në 5 struktura të tjera spitalore, QSUNT dhe spitale rajonale në Shkodër, Lezhë, Durrës dhe Vlorë.

Koçiu u shpreh se “autonomia spitalore do të mundësojë aplikimin e praktikave të dyfishta që u jep mundësinë mjekëve që janë pjesë e një spitali që ka fituar autonominë menaxheriale të ofrojnë konsulta ambulatore për pacientët jashtë sistemit të referimit dhe pas orarit zyrtar. Disa nga rezultatet paraprake të praktikës së dyfishtë janë rritja e aksesit të qytetarëve për shërbime ambulatore të specializuara në orarin e pasdites, ulja e kohës së pritjes së pacientit, e drejta e përzgjedhjes së mjekut në vendin, orën dhe kohën e duhur për qytetarin, gjithashtu dhe vlerësim financiar shtesë për të gjithë ata mjekë përfshihen në konsulta dyfishe”.

Sipas saj, me fitimin e autonomisë financiare, spitalet publike do të kenë më shumë mundësi dhe kompetenca për të siguruar të ardhura dhe për t’i përdorur ato pasi kemi të bëjmë me vetëfinancimin e spitalit.

Ministrja theksoi se një spital me autonomi financiare i jep mundësi mjekëve të zhvillojnë lirshëm aktivitetin e tyre nëpërmjet praktikës së dyfishtë, por jo vetëm.

“Një spital me autonomi spitalore ka mundësi të lidhe vetë kontrata me palë të treta për të ofruar shërbim shëndetësor dhe të rrisë kështu të ardhurat e veta, të dijë çfarë mund të përdorë më mirë për kualifikimin e mëtejshëm të mjekëve dhe për t’i dhënë mundësi për trajnime dhe zhvillim të kërkimit shkencor në ambientet e spitalit”, nënvizoi Koçiu.

Më tej, ministrja e Shëndetësisë publikoi disa të dhëna nga aplikimi i deritanishëm i autonomisë menaxheriale në Spitalin Memorial të Fierit.

“Në 7-mujorin e parë të vitit 2024 në Spitalin Memorial të Fierit, aplikimi i autonomisë spitalore ka sjellë 32% rritje të aktivitetit spitalor, 28% rritje e vizitave ambulatorike jashtë sistemit të referimit, 21% rritje e numrit të shtrimeve, 38% rritje e numrit të urgjencave mjekësore, 80% shfrytëzimit të shtratit, 4 procedura të reja diagnostikuese, 25% rritje e të ardhurave dytësore, 400 konsulta nga praktika e dyfishtë; 12 mjekë përfitues të shpërblimit financiar nga ushtrimi i praktikës së dyfishtë si dhe 11 marrëveshje të reja me palët e treta”, tha Koçiu.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu tha se aplikimi i autonomisë spitalore është një reformë e domosdoshme drejt së cilës do duhet të shkojnë të gjitha strukturat spitalore shëndetësorë publike.

/k.s/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›