E Hënë, 2 Nëntor 2026

Autoriteti Kombëtar i Sigurisë Kibernetike analizon sulmin wiper ndaj Bashkisë së Tiranës

Autoriteti Kombëtar i Sigurisë Kibernetike (AKSK) ka bërë të ditur se ka analizuar një skedar keqdashës të llojit wiper (fshirës), i identifikuar si “Display_10.exe”, pas sulmit kibernetik që goditi Bashkinë e Tiranës.

Sipas AKSK-së, ky virus përdor teknika të avancuara për të fshirë të dhëna dhe për të dëmtuar sistemin operativ Windows. Si përgjigje ndaj këtij incidenti, AKSK ka publikuar një dokument që përfshin indikatorët e komprometimit, veprimet shkatërruese të skedarit dhe rekomandime konkrete për rritjen e sigurisë.

Reagimi i menjëhershëm dhe masat e marra

Menjëherë pas marrjes së sinjalizimit për sulmin, AKSK, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ndërmori të gjitha hapat e parashikuara nga procedurat operative të reagimit ndaj incidenteve. Kjo përfshiu ngritjen e një grupi të posaçëm pune, i përbërë nga ekspertë të sigurisë kibernetike.

Ky grup filloi menjëherë punën në terren, duke bashkëpunuar ngushtë me stafin teknik të Bashkisë Tiranë.

Objektivat kryesore të tyre ishin:

  • Kryerja e analizës fillestare të komprometimit të infrastrukturës dhe identifikimi i pikave të hyrjes së sulmit.
  • Izolimi dhe kufizimi i përhapjes së ndikimit në sistemet e tjera të ndërlidhura.
  • Ndërmarrja e masave të para për rikthimin e funksionimit të sistemeve të goditura.
  • Hartimi i rekomandimeve të para për përmirësimin e sigurisë dhe forcimin e mekanizmave mbrojtës në infrastrukturat përkatëse.

Angazhimi i AKSK-së

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike deklaron se dënon çdo akt që cënon infrastrukturat kritike të informacionit dhe thekson angazhimin e tij në garantimin e integritetit, konfidencialitetit dhe disponueshmërisë së sistemeve të teknologjisë së informacionit në Republikën e Shqipërisë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›