Autoriteti Portual Durrës: Rikthehet në normalitet puna në port, pas motit të keq

TIRANË, 24 dhjetor /ATSH/ Autoriteti Portual Durrës, njofton se mëngjesin e sotëm ka rifilluar gradualisht veprimtaria portuale, pas pezullimit të përkohshëm të lundrimeve si dhe operacioneve portuale në disa terminale, si pasojë e erës së fortë dhe reshjeve intensive, që përfshirë brigjet e Adriatikut gjatë 24 orëve të fundit.
APD bën të ditur se, aktualisht, veprimtaria përpunuese vijon normalisht në të katër terminalet, ndërkohë që të gjitha akset në hapësirat e Portit janë të aksesueshme pa pengesa në qarkullim.
Sipas APD, në portin e Durrësit, po përpunohen sot 5 anijeve me rreth 7500 tonë mallra dhe 491 njësi kontejnerike.
Tre anije me 4200 tonë mallra dhe 431 njësi kontejnerike janë në përpunim dhe 2 anije me 3300 tonë mallra dhe 60 njësi kontejnerike janë në radën portuale.
Sipas APD-së, në Terminalin e Pasagjerëve është bregëzuar pa probleme në orarin e parashikuar trageti “Rigel VII”, ndërkohë që të gjitha tragetet e parashikuara për lundrim ditën e sotme do të vijojnë sipas orareve të parashikuara.
Autoriteti Portual Durrës njofton se bashkë me Autoritetet Detare mbeten në gatishmëri të plotë për t’i ardhur në ndihmë përdoruesve të portit.
1 nga 3/r.e/