E Premte, 6 Nëntor 2026

Autoriteti i Dosjeve nis në Prokurori dosjet e zhvarrimit për personat e zhdukur nga regjimi komunist

Autoriteti i Dosjeve nis në Prokurori dosjet e zhvarrimit për personat e zhdukur nga regjimi komunist

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit ka dorëzuar pranë organeve të drejtësisë dokumentacionin dhe provat për gjashtë vendvarrime të dyshuara të personave të zhdukur gjatë regjimit komunist, duke kërkuar vijimin e procedurave hetimore dhe ndërhyrjeve në terren.

Sipas njoftimit zyrtar, AIDSSH i është drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme, prokurorive në rrethe, policisë dhe institucioneve lokale në Shkodër, Lezhë, Mirditë, Vlorë, Korçë, Kolonjë dhe Himarë, me kërkesën për autorizimin e gërmimeve dhe zhvarrimeve të kontrolluara në zonat ku dyshohet se ndodhen mbetje mortore të personave të zhdukur.

Institucioni kërkon që të ndërmerren veprimet procedurale për kërkimin, rikuperimin dhe identifikimin e eshtrave, si dhe koordinimin ndërinstitucional për realizimin e ndërhyrjeve në terren.

Sipas AIDSSH-së, veprimet vijnë pas një procesi disa-vjeçar hetimi administrativ, mbledhjes së dëshmive nga familjarët dhe verifikimeve arkivore, të kryera në bashkëpunim me Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur. Përmes ekspertizave jo-invazive, radarëve dhe metodave antropologjike, janë evidentuar të dhëna me probabilitet të lartë për praninë e mbetjeve mortore në disa prej vendeve të dyshuara.

Sponsorizuar

Mes vendvarrimeve të referuara janë:

  • Varrezat e Rrmajit në Shkodër, ku dyshohet se ndodhen eshtrat e disa personave të ekzekutuar gjatë viteve 1948–1953;
  • zona pranë ish-Burgut të Spaçit në Mirditë;
  • zona e Shpalit pranë kishës, ku dyshohet se ndodhen organizatorët e Revoltës së Spaçit të vitit 1973;
  • një vendvarrim i dyshuar në Mallkeq;
  • vendvarrimi i dyshuar në Shënvasil;
  • si dhe një tjetër në Shelegur, në malin e Gramozit, ku dyshohet se ndodhen mbetjet mortore të Dhimitër Konos.

AIDSSH thekson se për shumë familje shqiptare çështja e të zhdukurve gjatë regjimit komunist mbetet ende një plagë e hapur, pasi shumë viktima të ekzekutuara apo të vdekura në burgje e kampe nuk iu kthyen kurrë familjeve.

Përmes këtyre kërkesave, institucioni synon avancimin e procesit për identifikimin me ADN dhe rikthimin e eshtrave pranë familjarëve, në përputhje me standardet ndërkombëtare për personat e zhdukur me forcë.

Autoriteti u ka bërë gjithashtu thirrje institucioneve dhe qytetarëve që disponojnë informacion mbi vendvarrime të dyshuara të bashkëpunojnë me organet përgjegjëse, duke e cilësuar zbardhjen e fatit të të zhdukurve si një detyrim human, ligjor dhe moral për shoqërinë shqiptare.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›