Autoriteti i Ushqimeve në Kosovë bllokon qumështin “BEBA SUPREM PRE 800 gramë”

PRISHTINË, 6 shkurt /ATSh/ Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar opinionin publik se ka bllokuar një produkt ushqimor për foshnja, pas një njoftimi zyrtar të pranuar nga Republika e Shqipërisë, përkatësisht nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit.
Sipas AUV-së, subjekti “Rossmann & LALA SH.P.K.” në Shqipëri ka eksportuar në Republikën e Kosovës produktin ushqimor për foshnja BEBA SUPREM PRE, me peshë 800 gramë, datë skadimi 05.2027 dhe kod identifikues EAN: 7613287226631. Ky produkt është importuar në Kosovë nga kompania “Rossmann Kosova”.
Agjencia bën të ditur se, në bashkëpunim me kompaninë përkatëse, është realizuar bllokimi i menjëhershëm i produktit, ndërsa në ditët në vijim do të nisë procesi i asgjësimit të tij, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Pavarësisht sfidave me të cilat po përballet, përfshirë mungesën e inspektorëve, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë thekson se mbetet e përkushtuar në monitorimin e vazhdueshëm të tregut dhe të zinxhirit ushqimor, me qëllim që konsumatorëve në Republikën e Kosovës t’u garantohet ushqim i sigurt dhe i shëndetshëm.
/KosovPress//r.e/