E Hënë, 2 Nëntor 2026

Avioni i nisur drejt Londrës ulet në Gjermani pas kërcënimit me bombë

 

Një avion indian me 147 pasagjerë në bord bëri një ulje emergjente në aeroportin e Frankfurtit, në Gjermani – pas një kërcënimi me bombë gjatë fluturimit të tij nga Delhi në Londër, tha të premten në mbrëmje policia gjermane.

“Kërcënimi u komunikua në platformën e mediave sociale X, duke pretenduar se një bombë ishte vendosur në bordin e avionit të drejtuar nga Vistara”, tha një zëdhënës i policisë.

Me marrjen e kërcënimit, piloti njoftoi kontrollin gjerman të trafikut ajror dhe kërkoi të devijonte në Frankfurt. Kërkesa u miratua dhe avioni bëri uljen në orën 21:02.

Pasagjerët u larguan dhe avioni u kontrollua tërësisht nga policia dhe qentë e zbulimit të eksplozivëve. Nuk u gjet asnjë bombë dhe avioni u deklarua i sigurt.

Në fillim të shtatorit, një tjetër fluturim Vistara nga Mumbai në Frankfurt u devijua në një aeroport në Turqinë lindore – pasi u zbulua një kërcënim me bombë i shkruar në një letër higjienike në bord. 

Sipas ATSH

/ rtsh.al /

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›