Avokatët dhe gazetarët kundër rregullores së GJKKO, refuzojnë procedurat e reja për akreditimin

Nga kjo e martë ka hyrë në fuqi rregullorja e re e Gjykatës së Posaçme, e cila vendos rregulla të reja për mënyrën e funksionimit dhe aksesin në ambientet e gjykatës.
Kufizimet prekin gazetarët, avokatët, por edhe prokurorët, ndërsa një nga ndryshimet kryesore lidhet me ndalimin e përdorimit të telefonave celularë dhe pajisjeve elektronike gjatë seancave.
“Bëmë edhe një kërkesë për rishikim sipas nenit 158 të kësaj rregullore. Ne po presim këto ditë një reagim në përgjigje të kësaj kërkese që kemi bërë titullarit të gjykatës dhe pastaj në fundjavë do të mblidhet komiteti drejtues për të përcaktuar qëndrimet e mëtejshme. Anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm ishin të revoltuar dhe reaguan në mënyrë të përbashkët për një bojkot pa kompromis. Megjithatë, ne jemi juristë dhe do të ndjekim rrugët ligjore. Ne do të shohim edhe mundësinë e bashkëpunimit me median, për ta çuar çështjen në gjykatë dhe për ta goditur në rrugë gjyqësore. Ky është një proces që kërkon durim, por edhe vendosmëri, sepse është e rëndësishme të mbrojmë parimet dhe të sigurojmë respektimin e rregullave.” – Maks Haxhia, Kreu i Dhomës Kombëtare të Avokatisë
Për median, rregullorja parashikon akreditim individual dhe vjetor. Në sallë nuk lejohet përdorimi i telefonave, laptopëve apo pajisjeve të tjera elektronike, çka prek edhe komunikimin e gazetarëve me redaksitë gjatë ndjekjes së seancave. Ndërkohë, grupi ekzistues i WhatsApp-it për njoftimet e medias është mbyllur dhe Gjykata do të krijojë një grup të ri, ku do të përfshihen vetëm gazetarët e akredituar.
“I bëj edhe njëherë thirrjen e fundit kryetarit të Gjykatës së Posaçme, zotit Erjon Bani, për një bashkëpunim të mëtejshëm. Le të ulemi të gjithë së bashku, bashkë me gazetarët, bashkë me shoqatat dhe të diskutojmë mbi atë çfarë gazetarët dhe organizatat e mediave janë duke kërkuar.” – Isa Myzyraj, Asociacioni i Gazetarëve Shqiptarë
Për rregulloren kanë reaguar edhe organizatat e medias.
Rrjeti SafeJournalists ka kërkuar rishikimin dhe pezullimin e dispozitave që prekin gazetarët, duke ngritur shqetësime për akreditimin, përdorimin e pajisjeve elektronike dhe aksesin në seancat publike.
/rtsh.al/