Avokati i Veliajt akuza ndaj KLP: “Ka harmonizim institucional për të mbrojtur Ols Dadon”

Avokati mbrojtës i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, deklaroi pas përfundimit të seancës në Gjykatën Administrative se ekziston një “presion institucional” dhe një përpjekje për të shmangur shqyrtimin në themel të çështjes ndaj prokurorit Ols Dado.
Avokati Plarent Ndreca tha për mediat se përfaqësuesja e Këshilli i Lartë i Prokurorisë në seancë nuk kishte një vendim kolegjial të organit për të përfaqësuar qëndrimin e KLP-së në këtë proces.
“Ajo që paralajmërova besoj se doli, që ka një presion të shtuar në këtë çështje. Shpejtësia me të cilën tentohet të kalohen fazat procedurale dhe të anashkalohen kërkesat tona është shqetësuese”, deklaroi Ndreca.
Sipas tij, pala mbrojtëse ka konstatuar se ekziston vetëm një shkresë pa autorizim formal të KLP-së dhe jo një vendimmarrje kolegjiale e institucionit.
“Ne kemi konstatuar se ka një shkresë pa autorizimin e Këshillit të Lartë, të cilën gjykata nuk duhej ta injoronte. Kërkuam që kamerat të jenë online, por u refuzuam bazuar në një udhëzim të KLP-së”, tha ai.
Ndreca shtoi se deri në seancën e kaluar pala e Veliajt kishte qenë në mirëbesim se KLP kishte marrë një vendim zyrtar për çështjen, por sipas tij rezulton se institucioni nuk është mbledhur asnjëherë për këtë procedurë.
“KLP nuk është mbledhur asnjëherë për këtë çështje. I kërkova përfaqësueses të na jepte vendimin, por ai nuk ekziston. Kryetari është shprehur në mënyrë të paligjshme”, u shpreh avokati.
Ai ngriti gjithashtu dyshime për një “harmonizim institucional” në mbrojtje të prokurorit Dado.
“Duket sikur ka një harmonizim institucional dhe duan të mbrojnë me çdo kusht Dadon. KLP është organi më i interesuar për të vërtetën dhe duhej të verifikonte nëse Dado e ushtron autoritetin në bazë të Kushtetutës”, deklaroi Ndreca.