BAKU – Azerbajxhani përkujton 5-vjetorin e fitores së Karabahut me një paradë ushtarake

BAKU, 8 nëntor /ATSH-AA/ – Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev shënoi 5-vjetorin e fitores së vendit të tij në Luftën e Dytë të Karabahut me një paradë ushtarake në kryeqytetin Baku.
Aliyev tha se Azerbajxhani ka punuar për tre dekada për të rimarrë tokat e tij duke ndërtuar një ekonomi të fortë dhe një politikë të jashtme të pavarur dhe duke krijuar një ushtri të aftë.
”Këta faktorë na sollën më afër fitores”, tha ai.
Duke theksuar përpjekjet e rindërtimit në Karahak dhe Zangezurin Lindor, Aliyev theksoi se 60 mijë njerëz tani jetojnë në zonat e çliruara.
”Ne jemi rikthyer në Karabah dhe Zangezurin Lindor si pronarë të ligjshëm. Flamuri i Azerbajxhanit do të valëvitet këtu përgjithmonë. Karabahu është Azerbajxhan”, tha ai.
Aliyev gjithashtu shprehu mirënjohje për presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan dhe kryeministrin pakistanez, Shehbaz Sharif, për mbështetjen e tyre gjatë konfliktit.
”Vëllai im i dashur, Erdogan mbështeti Azerbajxhanin që nga orët e para të Luftës së Dytë të Karabahut. Deklarata e tij se Azerbajxhani nuk është vetëm ishte një mesazh për botën. Populli azer nuk do ta harrojë kurrë këtë mbështetje”, tha Aliyev.
Ai njoftoi se trupat turke dhe pakistaneze gjithashtu morën pjesë në paradë, duke shtuar se ”kjo tregon unitetin e ushtrive të tre vendeve”.
Pjesa më e madhe e rajonit të Karabahut, që ka qenë nën pushtimin armen për gati tre dekada, në vjeshtën e vitit 2020 u çlirua nga Azerbajxhani gjatë një lufte 44-ditore, e cila përfundoi pas një marrëveshje të paqes të ndërmjetësuar nga Rusia.
Marrëveshja gjithashtu hapi derën për normalizimin e marrëdhënieve me Erevanin.
Më 8 nëntor, ushtria azere çliroi qytetin e Shushas dhe më vonë shpalli Ditën e Fitores me një dekret presidencial.
Fillimisht, Dita e Fitores do të festohej më 10 nëntor, por kjo u ndryshua më vonë për shkak se përkonte me përvjetorin e vdekjes së Mustafa Kemal Ataturkut, themeluesit të Republikës së Turqisë./ a.jor.