BE 20 miliardë euro për financimin e planit europian të rimëkëmbjes

Brukseli ka arritur të sigurojë 20 miliardë euro në tregjet financiare për të filluar financimin e planit europian të rimëkëmbjes prej rreth 700 miliardë eurosh, i destinuar për të kapërcyer pasojat ekonomike nga pandemia.
“Sot, ne kemi kryer me sukses operacionin e parë të emetimit të obligacioneve për të financuar planin NextGenerationEU”, njoftoi presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.
“Komisioni ka siguruar 20 miliardë euro në tregjet financiare nëpërmjet një obligacioni 10-vjeçar. Ky është operacioni më i madh i këtij lloji, i realizuar ndonjëherë në Europë”, konfirmoi ajo.
Njëzet e shtatë shtetet anëtare të Bashkimit Europian kishin përfunduar në fund të muajin maj procesin e ratifikimit të vendimit, që i autorizon të marrin borxh së bashku.
Kjo etapë ka mundësuar për Komisionin të nisë operacionin e tij në tregje për të filluar financimin e 672 miliardë eurove në subvencione dhe kredi për vendet anëtare, parashikuar në kuadër të “NextGenerationEU”.
Operacioni ka ngjallur një interes shumë të fortë tek një panel i gjerë investitorësh. Kërkesa për obligacionet europiane ka qenë shtatë herë më e lartë se oferta, duke mundësuar marrjen e një tarife tërheqëse”, theksoi Von der Leyen.
“Komisioni do të paguajë të paktën 0,1% të interesave të këtyre obligacioneve”, theksoi ajo.
Deri në fund të vitit, Brukseli parashikon të emetojë një total prej 100 milionë euro obligacione./ ATSH