BE, Fule: Zgjidhja, para se të votohet heqja e vizave
"Liderët politikë në Shqipëri janë të ndërgjegjshëm për mesazhet që u janë dhënë në Strasburg"
Nuk jep afate, por komisioneri për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Stefan Fule, gjykon se do të ishte në të mirë të vendit që ngërçi politik të zgjidhej para se Këshilli dhe Parlamenti Evropian të nisin votimin e propozimit të Komisionit për të liberalizuar vizat. Dhe plot dy javë nga darka te Krokodil, komisioneri për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Stefan Fule, shprehet se topi vazhdon tu mbetet dy politikanëve kryesorë të Tiranës. Gjatë një prononcimi në takimin e nivelit të lartë në Sarajevë për mediat shqiptare, Fule nuk jep datë dhe detaje se darka e formatit të Strasburgut do të ripërsëritet, ndonëse 2 javët skaduan pikërisht dje, ditën e premte.
I pyetur se deri kur do të presin për zgjidhjen shqiptare, komisioneri Fule nuk përqendrohet tek koha e zgjidhjes, por tek mesazhi se kjo është një çështje që duhet ta zgjidhin shqiptarët, sepse, siç shprehet komisioneri për Zgjerimin, liderët politikë në Shqipëri janë të ndërgjegjshëm për mesazhet që u janë dhënë në Strasburg.
Mesazhet që i dërguam klasës politike shqiptare, janë bërë publike edhe nga media. Ata i dinë. Ata e kanë procesin në duart e tyre tani. Ata e njohin përgatitjen tonë për ti ndihmuar sa më shumë që të mundemi. Ata janë në dijeni të kërkesave nga drejtuesit e dy grupeve më të mëdha politike në Parlamentin Evropian. Topi është në fushën e tyre, - thekson ai. Që nga darka e 21 majit e Ramës dhe Berishës me drejtuesit kryesorë të BE-së, përveç një drafti të hamendësuar, asgjë nuk është bërë publike. PD dhe PS janë përplasur dhe për faktin nëse kërkesa e BE-së për të zgjidhur krizën brenda 2 javëve ishte apo jo ultimatum.
Vizat, Frattini: Nuk ka pengesa politike
Ministri i Jashtëm italian, Franco Frattini, ka sigurinë e plotë se vizat me Shqipërinë do të hiqen në vjeshtë dhe nuk ka pengesa politike në realizimin e këtij procesi. Gjatë samitit të Sarajevës, ai u shpreh se nuk ka pengesa për realizimin e kësaj aspirate për shqiptarët dhe boshnjakët. "Pas publikimit të dokumentit të Komisionit Evropian, mendoj se do të jetë e mundur që të kemi hequr vizat me Shqipërinë dhe Bosnjën përpara dimrit", - deklaroi z. Frattini. Në lidhje me pyetjen se a është heqja e vizave një proces teknik apo politik, Frattini u përgjigj: "Ne kemi vendosur disa kritere teknike që duhen përmbushur. Në qoftë se përmbushen dhe kushtet plotësohen, nuk ka pengesa politike".
Takimi Bashkim Evropian - Ballkan rezultoi të ishte një sukses për të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit. Ajo çka është më e rëndësishme, është se Shqipëria ngjiti një tjetër shkallë drejt integrimit evropian. Shefi italian i diplomacisë e cilësoi praninë e Kosovës në këtë samit të rëndësishëm një sukses politik.
"Kam punuar shumë për ta bërë realitet këtë sukses politik. Jam shumë i lumtur me prezencën e dy ministrave të Jashtëm. Personalisht, mendoj se Kosova dhe Serbia duhet të rinisin sa më shpejt dialogun dhe procesin e bisedimeve", - deklaroi z. Frattini.