BE: Si do t’ia bëjmë me Trump? Liderët e unionit mblidhen në Bruksel, Presidenti amerikan vendos të mbyllë edhe USAID

Liderët e Bashkimit Evropian janë mbledhur këtë të hënë në Bruksel për një takim jo zyrtar i cili ka në qendër lidhjet mes bllokut dhe Shteteve të Bashkuara dhe një përgjigje kompakte ndaj paralajmërimeve të Presidentit Trump.
Paraprakisht udhëheqësit e vendeve anëtare dhe zyrtarë të lartë të bllokut kanë thënë se nuk do të kishte fitues në një luftë tregtare me Shtetet e Bashkuara.
Udhëheqësi francez Macron bëri thirrje për bashkëpunim të ngushtë me administratën e re, por u zotua gjithashtu për një përgjigje të fortë nëse do të jetë e nevojshme.
E ndërsa vijon mbledhja në Bruksel, Trump pezulloi për një muaj tarifat e larta që vendosi një ditë më parë ndaj Meksikës pasi kjo e fundit ka pranuar të vendosë 10 mijë trupa në kufij për të siguruar vijën ndarëse mes dy vendeve.
Një tjetër hap drastik që ka të bëjë me ekonominë, është mbyllja e zyrave qendrore të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar.
Stafi i agjencisë u udhëzua të qëndronte në shtëpi pasi miliarderi Elon Musk njoftoi se Presidenti Trump ka rënë dakord për ta mbyllur USAID-in.
Musk i cili ka marrë miratimin e Presidentit për të nisur një process të jashtëzakonshëm të rishikimit të qeverisë federale, tha se agjencia që ka menaxhuar prej gjashtë dekada programet amerikane të ndihmës dhe zhvillimit në të gjithë botën, do të mbyllet.
Ligjvënësit demokratë kanë protestuar ndaj masave të fundit, duke thënë se Trump i mungon autoriteti kushtetues për ta mbyllur USAID-in pa miratimin e Kongresit.
Grupet humanitare dhe organizatat joqeveritare anembanë globit kanë shprehur gjithashtu shqetësimin për fatin e USAID-it pas urdhrit ekzekutiv të Trump.
Agjencia shpërndan miliarda dollarë çdo vit në mbarë botën përfshirë edhe Shqipërinë për të ndihmuar në zbutjen e varfërisë, ndërtimin e demokracisë dhe zhvillimin./vizionplus.tv