BE: Viti 2013 – vit i qytetarëve

Bashkimi Evropian e ka shpallur vitin 2013, vit të qytetarëve evropianë, ka njoftuar Komisioni Evropian.
Këtë shpallje më 10 janar në Dublin do ta bëjë presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, dhe kryeministri i Irlandës, Enda Kenny.
Aktualisht, Irlanda është kryesuese e presidencës së Bashkimit Evropian.
Qytetaria evropiane u aktivizua para afro 20 vitesh me Marrëveshjen e Mastrihtit, në vitin 1993.
Ajo nuk i zëvendëson shtetësitë kombëtare por i plotëson ato, meqë qytetarët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, kanë të drejta shtesë, si qytetarë të BE-së, raporton REL.
Në këto të drejta përfshihen liria e lëvizjes, e drejta për të votuar dhe pjesëmarrja në zgjedhjet lokale evropiane në vendin anëtar, pastaj e drejta për mbrojtje konsullore jashtë vendit, e të tjera./Indeksonline/