BE dënon deklaratën e ministres serbe

PRISHTINË, 14 korrik/ATSH/ Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje politikanëve në Serbi që të përmbahen nga deklaratat nxitëse dhe të respektojnë detyrimet e tyre për të normalizuar marrëdhëniet me Kosovën.
Kjo u deklarua nga zëdhënësja e politikës së jashtme të BE-së, Anita Hipper, në përgjigje të një pyetjeje në lidhje me një deklaratë të ministres së qeverisë serbe Snezhana Paunoviç se, nëse do të ishte në pozicionin e Slobodan Millosheviç, do të “kryente spastrim etnik në Kosovë”.
KOHA i kërkoi Komisionit Evropian nëse një deklaratë e tillë është në përputhje me vlerësimin pozitiv që Komisioni Evropian i ka bërë Serbisë dhe me vlerësimin se Serbia po sillet në mënyrë konstruktive në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
“Nuk duam të komentojmë mbi komentet. Por jam e lumtur t’ju jap qëndrimin tonë kryesor dhe parimin kyç se nuk duhet të ketë vend në Evropë për retorikë, justifikim apo avokim të spastrimit etnik”, u përgjigj Anita Hiper.
“Deklarata të tilla janë në kundërshtim me vlerat e dinjitetit njerëzor, pajtimit, llogaridhënies dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë mbi të cilat është ndërtuar BE-ja. Ato gjithashtu shkojnë kundër detyrimeve që Serbia ka ndërmarrë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Prandaj, ne presim që të gjithë udhëheqësit të përmbahen nga çdo retorikë nxitëse dhe të kontribuojnë në një mjedis besimi dhe stabiliteti në rajon”, tha zëdhënësja e Komisionit Evropian.
BE-ja ka bërë vazhdimisht thirrje për mohimin e gjenocidit, relativizimin e krimeve të luftës dhe glorifikimin e kriminelëve të luftës të dënuar.