E Diel, 1 Nëntor 2026

BE distancohet nga Bordi i Paqes/ Ursula Von der Leyen refuzon takimin inaugurues, zbardhet plani për Rripin e Gazës

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen nuk do të marrë pjesë në takimin inaugurues të Bordit të Paqes, të planifikuar më 19 shkurt në Uashington. Përmes zëdhënësit të saj,  Anouar El Anouni, Komisioni Europian bëri të ditur se Brukseli ka ende pikëpyetje mbi statutin e “Bordit të Paqes”, veçanërisht për fushëveprimin, qeverisjen dhe përputhshmërinë me Kartën e OKB-së.

Megjithatë, BE mbetet e gatshme të bashkëpunojë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për zbatimin e një plani paqeje në Gazë.

Ndërkaq, sipas raportimit të “New York Times”, në takimin joformal në Uashington pritet të prezantohet një plan prej miliarda dollarësh për rindërtimin e rripit të Gazës. SHBA dhe Emiratet e Bashkuara Arabe thuhet se janë gati të investojnë secila nga 1 miliard dollarë në këtë projekt.

LEXO EDHE: Bordi i Paqes, Rama: Më 19 shkurt do të jem në Washington

Gjithashtu, disa nga 20 vendet pjesëmarrëse pritet të ofrojnë mijëra trupa për krijimin e një force sigurie që do të vendoset në territor, duke shënuar një hap të ri në përpjekjet ndërkombëtare për stabilizimin e rajonit.

“Bordi i Paqes”, më 19 Shkurt

Shtëpia e Bardhë po planifikon zhvillimin e takimit të parë të nivelit të lartë të “Bordit të Paqes”, i cili do të mbahet më 19 shkurt në Washington.

Ky samit nuk do të jetë vetëm diplomatik, por do të shërbejë edhe si një konferencë e madhe donatorësh për mbledhjen e fondeve për rindërtimin e Gazës. Një ditë më herët, më 18 shkurt, Presidenti Trump do të presë kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, për të koordinuar hapat e fundit përpara aktivizimit të Bordit.

Në këtë strukturë të re marrin pjesë 26 vende, mes të cilave Shqipëria dhe Kosova kanë konfirmuar praninë e tyre. Më 28 janar, Parlamenti i Shqipërisë votoi me një konsensus të rrallë prej 110 votash pro, duke autorizuar kryeministrin për përfaqësim në këtë organizatë.

Ky takim shënon mbledhjen e parë zyrtare pas asaj themeluese që u mbajt gjatë Samitit të Davosit më 20 janar 2026.

Bordi, i drejtuar personalisht nga Donald Trump, synon të marrë në dorë qeverisjen e përkohshme të Gazës, por ambiciet e tij shkojnë më tej. Trump ka deklaruar se ky mekanizëm do të zgjerohet për të trajtuar konfliktet globale, duke ngjallur dyshimet dhe skepticizmin e aleatëve perëndimorë, të cilët i druhen minimit të rolit tradicional të Kombeve të Bashkuara.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›