BE-ja dhe Kanadaja drejt një partneriteti të ri, synohet një lidhje më e ngushtë deri në vitin 2027
Bashkimi Evropian dhe Kanadaja kanë rënë dakord të përcaktojnë deri në samitin e vitit 2027 se çfarë do të përfshijë një lidhje gjithnjë e më e ngushtë mes tyre, pa arritur deri në anëtarësimin e plotë të Kanadasë në Union.

Marrëveshja bëhet e ditur në një deklaratë të përbashkët të publikuar këtë të premte. Një ditë më parë, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se palët po shqyrtojnë mundësinë që Kanadaja të bëhet vendi i parë me statusin e “anëtarit të asociuar” të Bashkimit Evropian.
Megjithatë, ky formulim nuk është përfshirë në deklaratën përfundimtare, për shkak të kundërshtive që ka ngjallur mes vendeve anëtare të BE-së.
Kryeministri kanadez, Mark Carney, e cilësoi nismën si një “aleancë për të ardhmen”, e cila do të përqendrohet te forcimi i qëndrueshmërisë në fusha strategjike.
Sipas tij, bashkëpunimi do të përfshijë Inteligjencën Artificiale, energjinë, lëndët e para kritike, teknologjitë kuantike dhe sektorë të tjerë me rëndësi për të ardhmen.
“Po punojmë për partneritetin më të thellë të mundshëm, por pa qenë fjala për anëtarësim të plotë”, deklaroi Carney, duke shtuar se kjo do ta çonte Kanadanë drejt statusit të “anëtarit të parë të asociuar” të Bashkimit Evropian.
Koncepti i “anëtarit të asociuar” kundërshtohet nga Gjermania dhe disa vende të tjera të Bashkimit Evropian. Për më tepër, ky status nuk ka aktualisht një bazë apo përcaktim të mirëfilltë ligjor në kuadrin e BE-së.
Për këtë arsye, palët kanë lënë kohë deri në samitin e vitit 2027 për të përcaktuar konkretisht se çfarë do të nënkuptojë kjo marrëdhënie e re dhe cilat do të jenë kufijtë e saj.