BE-ja i bën thirrje Kosovës të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese: Nuk ka më kohë për të humbur

Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje të premten partive parlamentare në Kosovë të respektojnë dhe zbatojnë vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar se është “një sqarim i rëndësishëm” për të tejkaluar ngërçin politik.
“Gjykata Kushtetuese ka folur dhe ka dhënë sqarime të rëndësishme. BE-ja kërkon nga të gjitha partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës që t’i përmbahen këtij vendimi dhe të gjejnë kompromisin e nevojshëm dhe shumicat për të lëvizur në mënyrë të shpejtë me procesin e zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve.”, thuhet në reagimin e zyrës së BE-së në Kosovë.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese urdhëron deputetët të zgjedhin kryetarin e ri të Kuvendit përmes votimit të hapur dhe të përmbyllin konstituimin e Kuvendit brenda një afati prej 30 ditësh. Gjithashtu, vendimi saktëson se një kandidat nuk mund të hidhet në votim më shumë se tri herë.
Ky vendim është pritur me reagime të ndryshme nga partitë politike. Lëvizja Vetëvendosje, partia fituese e zgjedhjeve, e ka quajtur vendimin arbitrar. Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e kanë mirëpritur si një “fitore kushtetuese e demokratike”. Ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e ka cilësuar si “rrëzim të diktatit”.
Kosova është në krizë politike që nga zgjedhjet e 9 shkurtit, ku asnjë parti nuk siguroi shumicën e nevojshme për të qeverisur e vetme. Edhe pas aktgjykimit të mëparshëm, Vetëvendosje ka insistuar që kandidatja e saj, Albulena Haxhiu, të zgjidhet me votim të fshehtë, duke e kundërshtuar haptazi votimin e hapur të kërkuar nga partitë e tjera. Ndërkohë, opozita vazhdon ta përjashtojë Haxhiun si një kandidate “përçarëse”.
BE thekson se “nuk ka më kohë për të humbur” dhe u bën thirrje palëve të gjejnë “kompromise të nevojshme” për të ecur përpara me formimin e institucioneve të reja.
/rtsh.al/