E Enjte, 5 Nëntor 2026

BE-ja kërcënon me masa të reja kundër presidentit bjellorus

Bashkimi Evropian ka kërcënuar me masa të reja kundër udhëheqësit autoritar bjellorus Alyaksandr Lukashenko.  “Pasi regjimi po vazhdon të shpërfill angazhimet ndërkombëtare, BE -ja është e gatshme të marrë në konsideratë masa të mëtejshme”, tha shefi i politikës së jashtme të BE -së Josep Borrell.  Komentet e tij u bënë në njëvjetorin e zgjedhjeve presidenciale në Bjellorusi, të cilat Lukashenko pretendon se i ka fituar, mirëpo opozita, aktivistës dhe vendet perëndimore nuk e kanë njohur rezultatin e tyre. Ndërkohë që brenda Bjellorusisë, pas zgjedhjeve, shpërthyen protesta masive, vendet perëndimore e kanë goditur disa herë me sanksione regjimin e Lukashenkos. Presidenti bjellorus, nga Perëndimi po quhet edhe si “diktatori i fundit në Evropë” për shtypjen e tij të pamëshirshme të zërave kundërshtues, përfshirë devijimin e detyruar në maj të një fluturimi komercial të Ryanair në Bjellorusi për të arrestuar një gazetar dhe aktivist të opozitës dhe të dashurën e tij. Më 8 gusht, ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas, u zotua për mbështetje të lëvizjes demokratike të Bjellorusisë, duke thënë se i gjithë vendi po mbahet “peng” nga Lukashenko.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›