E Diel, 1 Nëntor 2026

BE kërkon dialog efektiv politik në Shkup

Bashkimi Evropian pret që Shkupi të ndërmarrë hapa dhe sinjale serioze për të përmbushur detyrimet që ka lidhur me dialogun e brendshëm politik.

Zyrtarë të Komisionit Evropian kanë rekomanduar që partitë politike të pozitës dhe opozitës duhet të arrijnë marrëveshje lidhur me raportin për zbardhjen e ngjarjeve të 24 dhjetorit të vitit të kaluar, kur opozita maqedonase u nxorr nga Parlamenti nga ana e shërbimeve të sigurisë dhe më pas maxhoranca pa debat kaloi projekt – buxhetin për 2013.

Kjo seancë problematike që u përcoll me dhunë dhe incidente që çuan edhe me largimin e gazetarëve nga institucioni legjislativ, ka bërë që Brukseli të këmbëngul për zbardhjen e saj, pasi që ishte rrënuar demokracia dhe debati politik.

Dy partitë më të mëdha VMRO-DPMNE dhe LSDM kanë pranuar se kanë mbetur ditët e fundit për të gjetur marrëveshje dhe për të miratuar raportin lidhur me ngjarjet e 24 dhjetorit.

Takimi i djeshëm midis kryeministrit dhe liderit të VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski dhe atij të LSDM opozitare, Zoran Zaev ka nxjerrë këtë shqetësim dhe nevojën për miratimin e raportit për 24 dhjetorin, mirëpo nuk është bërë e ditur se a do të ndodhë një vendim i tillë.

Në rast se pozita dhe opozita maqedonase do të harmonizojnë qëndrimet dhe të miratojnë raportin si pjesë e dialogut politik, atëherë Brukseli do të përfshijë në aspektin pozitiv këtë çështje në raportin e progresit të KE-së që do të publikohet gjatë vjeshtës. Në të kundërtën vendi do të jetë në qendër të kritikave sa i përket ngecjeve dhe bllokimit të dialogut politik dhe bllokimit të demokracisë parlamentare.

Reflektimi i marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore, përkushtimi serioz për zgjidhjen e kontestit të emrit si dhe implementimi i Marrëveshjes së Ohrit janë kushtet e tjera nga Brukseli që i janë adresuar Shkupit zyrtar.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›