E Diel, 1 Nëntor 2026

BE kritikon vendimin e Haxhiut për prokurorët serbë: Përmbahuni nga veprime që pengojnë riintegrimin

PRISHTINË, 21 korrik/ATSH/ Bashkimi Evropian kritikoi vendimin e ushtrueses së detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, e cila dekretoi lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve serbë.

Përmes një deklarate, një zëdhënës i bllokut evropian tha se vendimi i Haxhiut, por edhe i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), nuk “duket të jenë në përputhje me ligjin”, duke kujtuar se prokurorët veçse kishin njoftuar për tërheqjen e dorëheqjeve të tyre.

“Kjo duket se nuk është në përputhje me ligjin, me procedurën e rregullt ligjore dhe me kërkesat e përgjithshme të sundimit të ligjit në Kosovë. BE-ja u bën thirrje të gjitha institucioneve përkatëse që të përmbahen nga veprimet që synojnë pengimin e riintegrimit të personelit gjyqësor serb të Kosovës”, tha zëdhënësi i BE-së.

Më herët gjatë ditës, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu njoftoi se ka nënshkruar dekretet për lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve nga komuniteti serb, të cilët kishin dhënë dorëheqje nga sistemi i drejtësisë në vitin 2022.

“Me këtë akt përmbyllet një proces i zgjatur për vite me radhë dhe zbatohet vendimi i institucionit kompetent, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës”, shkroi Haxhiu në Facebook.

Këshilli Prokurorial i Kosovës refuzoi këtë javë kërkesën e prorkurorëve për tërheqjen e dorëheqjeve, të paraqitura në nëntor të vitit 2022, kur zyrtarët serbë u larguan kolektivisht nga institucionet e Kosovës në veri të vendit.

/Kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›