E Enjte, 5 Nëntor 2026

BEJRUT – Hamasi bën thirrje për operacione vetëvrasëse kundër Izraelit

BEJRUT, 29 gusht /ATSH-DPA/ – Në përgjigje të operacionit ushtarak në shkallë të gjerë të Izraelit në Bregun Perëndimor dhe sulmeve të vazhdueshme në Rripin e Gazës, Hamasi ka bërë thirrje për rifillimin e sulmeve vetëvrasëse, sipas medias arabe.

”Udhëheqësi i Hamasit, Khaled Mashal, bëri thirrje për një kthim në operacionet vetëvrasëse, në një konferencë në qytetin turk të Stambollit të mërkurën në mbrëmje”, tha televizioni ”Sky News Arabia”.

”Situata aktuale kërkon një konflikt të hapur”, tha Mashal.

Ai u bëri thirrje mbështetësve të Hamasit që “të marrin pjesë në rezistencën aktuale kundër entitetit sionist [Izraelit] në fronte të shumta”.

Izraeli filloi të mërkurën një operacion ushtarak në shkallë të gjerë në Bregun Perëndimor verior.

Një zëdhënës i ushtrisë izraelite e justifikoi veprimin, për të cilin autoritetet palestineze thanë se vrau 11 persona të mërkurën, me rritjen e konsiderueshme të numrit të sulmeve ndaj izraelitëve.

Në të njëjtën kohë, dhuna nga kolonët ekstremistë izraelitë në Bregun Perëndimor të pushtuar është rritur gjithashtu.

Situata në Bregun Perëndimor është përkeqësuar ndjeshëm që nga fillimi i luftës së Gazës pas masakrës së Hamasit më 7 tetor.

”Që atëherë, 635 palestinezë janë vrarë në operacionet ushtarake izraelite, përleshjet ose sulmet e tyre në Bregun Perëndimor”, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›