BEJRUT – IDF vret kreun e njësisë së sigurisë të Hezbollahut, Nabil Kaouk

BEJRUT, 29 shtator /ATSH-DPA/ – Ushtria izraeliane deklaroi se kishte vrarë një tjetër komandant të rangut të lartë të Hezbollahut, ndërsa ushtria vazhdoi sulmet e saj në Liban mes frikës në rritje se rajoni është në prag të një lufte gjithëpërfshirëse.
”Kreu i njësisë së sigurisë parandaluese të Hezbollahut, Nabil Kaouk, u vra në një sulm “të saktë” nga forcat izraelite”, theksuan Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) në një postim në X.
”Kaouk, një anëtar i këshillit ekzekutiv të milicisë libaneze, kishte qenë i afërt me komandantët e lartë të Hezbollahut dhe i përfshirë drejtpërdrejt në sulmet terroriste kundër Izraelit që kur iu bashkua Hezbollahut në vitet 1980”, theksoi IDF.
IDF tha se do të vazhdojë të eliminojë komandantët e Hezbollahut. Nuk janë dhënë detaje rreth vendndodhjes së sulmit.
Deklarata vjen një ditë pasi milicia e mbështetur nga Irani konfirmoi se lideri i saj, Hassan Nasrallah, u vra në një sulm ajror izraelit në Bejrut të premten, duke nxitur më tej shqetësimet e përhapura rreth një përshkallëzimi serioz që mund të tërheqë forcat në prokurë nga i gjithë rajoni. /os/