E Diel, 1 Nëntor 2026

BELGJIKË – Përleshje të reja gjatë protestave të nxënësve

BRUKSEL, 6 tetor /ATSH-DPA/- Përleshje të reja kanë ndodhur gjatë protestave të nxënësve në Belgjikë, ndërsa demonstratat kundër gjendjes së sistemit arsimor në vend vazhdojnë, raportoi agjencia belge e lajmeve “Belga”.

Në qytetin e Liège, protestuesit thyen xhama dhe i vunë zjarrin një koshi plehrash. Më pas, policia ndërhyri duke përdorur autobot me ujë, që lëshon presion të fortë uji për të shpërndarë turmën.

Përleshjet e reja ndodhën një ditë pasi, 22 policë pësuan plagë të lehta në zonën e Liège-s. Protestuesit u kishin hedhur policëve gurë dhe fishekzjarre.

Sipas raportimeve, protestat përfshinë edhe bllokime rrugësh dhe zjarre të vogla.

Më shumë se 1 000 protestues u mblodhën për të shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj gjendjes së sistemit arsimor.

Që nga fillimi i protestave të enjten e kaluar, dhjetëra persona janë arrestuar, mes tyre edhe 17 të mitur.

Në Hannut, në perëndim të Liège-s, një adoleshent u arrestua pasi 15 nxënës të shkollës fillore, pësuan dëmtime të lehta nga një fishekzjarr gjatë një proteste dje në mëngjes. Fëmijët u goditën nga shkëndijat që fluturuan nga fishekzjarri.

Protestuesit kërkojnë ndërtesa shkollore më të mira, kushte më të mira për mësim dhe orare më të përshtatshme.

Edhe në Francën fqinje, nxënësit e shkollave të mesme, kanë shprehur zemërimin e tyre për ndërtesat e amortizuara të shkollave dhe mungesën e mësuesve.

Tashmë protestat janë përhapur edhe në universitete. Edhe atje, disa prej demonstratave janë shoqëruar me përleshje. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›