E Shtunë, 31 Tetor 2026

BENI TURK HEKIMLERE EMANET EDIN

Këtë frazë, për gati dy muaj me radhë, e ndeshja çdo mëngjes, sa herë që ngjitesha drejt një dhome spitali, larg Shqipërisë, ku vizitoja një familjarin tim të shtruar aty për një problem të rëndësishëm shëndetësor. Ai ishte i shtruar në spitalin ushtarak të Turqisë, në GATA, "Gulhane Askeri Tip Akademisi".
Çdo mëngjes, në pritje të një ndërhyrjeje të vështirë kirurgjikale, këto pesë fjalë (Ataturk e ka thënë frazën - Në duart e mjekëve turq më lini amanet… - kur refuzoi të dëgjonte këshilltarët e tij, të cilët i sugjeronin të kurohej në SHBA, ndërkohë që shëndeti i tij ishte rënduar shumë), më ndihmonin të besoja më shumë te mjekët turq, që kishin në duar jetën e familjarit tim, me të njëjtin besim që prijësi historik dhe udhëheqësi shpirtëror i popullit turk besonte tek ata.
Bashkë me besimin në rritje për ta, më rritej keqardhja për mungesën e besimit që kisha unë te mjekësia shqiptare, dhe të gjithë ata si unë, që detyrohen të marrin rrugën për të zgjidhur një problem shëndetësor larg shtëpisë.
Në Gata, të tillë takova shumë.
Ka dy gjëra që dua të tregoj në këtë shkrim.
Së pari, dua të them se marrëveshja që ekziston mes qeverisë shqiptare dhe asaj turke për kurimin e një kontingjenti të caktuar shqiptarësh, është një mundësi e madhe. Kush ka pasur një problem të vështirë shëndetësor, e di mirë ç‘do të thotë kjo. Por që kjo marrëveshje të zbatohet sa më mirë dhe sa më në favor të pacientëve shqiptarë, ka disa kontribute njerëzore të vyera, pa të cilat nuk do të mund të realizohej. Nëpërmjet përvojës sime personale, dëshiroj të jap pak dritë për këto kontribute, pikërisht për ata njerëz që nuk kërkojnë drita reflektorësh dhe famë.
Shumëkush e di që Gazmend Oketa është një politikan karriere, tashmë deputet i zgjedhur për të dytën herë në zonën e Durrësit. Si ministër i Mbrojtjes, në ekrane e kanë parë të flasë për reformën në ushtri, demontimin apo misione paqeruajtëse. Janë të paktë ata që e njohin Oketën larg staturës së tij publike. Pak kush di që ai nuk u ka thënë kurrë jo atyre që i kanë kërkuar ndihmë për problemet në fjalë, kushdo qofshin ata. Një prej tyre isha edhe unë.
I pari njeri që do të takosh në Ankara, nëse shkon të kurohesh në GATA, është atasheu ushtarak i Shqipërisë, kolonel Syrja Gjoka, një ushtarak karriere, një pilot i klasit të parë, me karrierë të gjatë në ushtri. Ai, me të njëjtin përkushtim profesional për detyrën e tij, ka përkushtimin njerëzor për të ndihmuar të gjithë shqiptarët që udhëtojnë drejt Ankarasë, për të zgjidhur probleme të rënda shëndetësore. Ndava me kolonel Gjokën shumë nga vështirësitë e rastit për mua, por dhe zhgënjimin e këtij të fundit për mosmarrjen e gradës gjeneral, proces i realizuar në fillim-shtator në zyrat e Tiranës. Mendoj që të gjithë ne do ishim të nderuar të kishim në listën e gjeneralëve një ushtarak të kompletuar si ai, ashtu siç është fat për të gjithë shqiptarët në nevojë që kolonel Gjoka, me profesionalizëm të veçantë dhe duke shfrytëzuar kapacitetet e tij intelektuale (gjuhën turke, krijimin e marrëdhënieve personale me qëllim lobimin në favor të shqiptarëve), sot që flasim ndodhet në detyrën që mban.
Me të njëjtin respekt dhe konsideratë profesionale do të flisja për ambasadorin tonë në Ankara, Altin Kodra, një djalë i talentuar, i mirëshkolluar dhe i pasionuar, por dhe të gjithë stafin e përfaqësisë atje.
Marrëveshja për të cilën po flas është një akt i rëndësishëm i një politike të mirë mes dy vendeve, por edhe ndjeshmërie e dashamirësie mes dy popujve, dashamirësi që ndoshta vjen larg nga historia. Po kaq larg patetizmit dua të rri kur them se këtë ndjenjë afrie, gati gjaku, e kam ndjerë në mirëpritjen e të gjithë stafit mjekësor të spitalit.
Nuk mund të rri pa përmendur profesorët Engin Gonul apo Turgut Tufan, një mjek dhe njeri i jashtëzakonshëm, që dhe pse me gradë shumë të lartë në hierarki (gjeneral me dy yje), komunikonte me pacientët në mënyrë humane e të shkëlqyer, apo mjekët Ilker Solmaz, Ysuf Izxhi, Serhat Pusat etj., të cilët të bëjnë të harrosh që je "jabanxhi", siç thotë një fjalë që ne e përdorim bashkërisht.
Po kështu, nuk mund të rri pa përmendur edhe shumë mjekë specializantë shqiptarë, Ajetin, Ismailin, Irgenin, që më mbushën me shpresë se, kur të kthehen në Shqipëri ata dhe të tjerë si ata nëpër botë, gjërat në vendin tim do të ndryshojnë.
Çdo mëngjes, kur lexoja thënien e Ataturkut, më vinte keq gjithashtu që asnjë nga "prijësit" e vegjël të vendit tim të vogël nuk e ka thënë apo shprehur kurrë diçka të ngjashme. Ca më pak akoma të ketë treguar me fakte besimin te mjekësia e vendit të vet. Më kujtohen tani shumë politikanë, të cilët kanë kuruar duar, sy e veshka anembanë botës. Asnjëri prej tyre, ndoshta, nuk ka bërë qoftë dhe një akt të thjeshtë besimi: të operojë një apandesit në QSUT.
Gjëja e dytë që dua të them në këtë shkrim ka të bëjë pikërisht me të gjithë ata njerëz që nuk e kanë mundësinë për t‘u kuruar jashtë.
Çfarë ndodh me ta?
Sigurisht që kurohen në Shqipëri, sigurisht nga mjekë të talentuar e të përkushtuar. Të tillë ka me qindra. Por si? Në çfarë kushtesh dhe me sa për qind mundësi për sukses?
Ajo që po ndodh sot me mjekësinë shqiptare, nuk është as për faj të mjekëve e as të pacientëve. Të dyja këto kategori kanë nevojë jetike për njëra-tjetrën dhe mirë është të bashkëjetojnë në paqe. Por si mund të ndjehet në paqe një prind, i cili nuk bën dot një skaner për fëmijën e tij në spitalin publik dhe ç‘faj kanë mjekët për këtë? Si mund të ndjehet në paqe një prind, i cili pret operacionin e fëmijës së tij dhe dëgjon në lajme për njerëz që vdesin nga infeksionet në sallat e operacionit? I kujt është faji për mungesën e ilaçeve, për ato kushte mizerabël që duhet të jetosh kur shtrohesh në spital? Kush e ka fajin për kushtet e vështira, me të cilat vetë mjekët punojnë? Apo kush e ka fajin dhe për ata mjekë, që profesionin e kanë kthyer thjesht në biznes fitimprurës etj., etj...?
Kur këto pyetje, si gazetare, ua kam drejtuar politikanëve në studion e emisionit tim, të gjithë kanë pranuar se shëndetësia nuk ka qenë kurrë një prioritet, i asnjë qeverie të pas viteve ‘90. E çuditshme kur mendon sa shpesh i themi njëri-tjetrit: "Shëndeti vjen i pari"!
Të gjithë thonë fajin e ka sistemi, a thua se sistemin për këto 19 vjet nuk e kanë bërë të njëjtët njerëz që sot ngrenë supet.
Pse shqiptarët sot janë të detyruar t‘i paguajnë mjekët nën dorë? Pse mjekët janë të detyruar që, pas vite e vite studimi, të lënë mënjanë dinjitetin njerëzor dhe profesional e të marrin bakshishe?
Sigurisht që unë si qytetare dua të paguaj për shërimin tim. Dua të jem e sigurt që mjeku, i cili do të kujdeset për shëndetin tim, përpara se të hyjë në sallë, të mos mendojë se sa keq paguhet në krahasim me kolegët në botë. Dua që mjeku im t‘i ketë të gjitha mundësitë, sigurisht në bazë të punës që bën, dhe sistemi të jetë i aftë ta vlerësojë dhe shpërblejë realisht. Po kështu, unë dua të paguaj në mënyrë të ndershme në skema sigurimesh, që më japin garanci mua dhe familjarëve të mi se nesër problemet e mia do të mund t‘i zgjidh dhe të mos turpëroj as veten e as mjekët me bakshishe të pabukur. Dua që të gjitha ato investime financiare e shpirtërore, të të gjithë njerëzve që detyrohen të paguajnë jashtë vendit për shëndetin e tyre, të bëhen pjesë e sistemit shëndetësor shqiptar, për ta bërë atë një shërbim dinjitoz.
Pres me padurim se ç‘do të bëjë ministri i ri i Shëndetësisë. Uroj që daljet e tij të fundit publike, gati të përditshme, t‘i shërbejnë ndërtimit të një sistemi të vlefshëm për të gjithë, edhe ministrin vetë, e të mos mbeten vetëm kronika në arkivat tona të lajmeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›