BERLIN – Merz thekson nevojën për pavarësi teknologjike nga SHBA-ja dhe Kina

BERLIN, 29 tetor /ATSH – DPA/ – Kancelari gjerman Friedrich Merz bëri thirrje sot që Gjermania dhe Evropa të ndërmarrin një përpjekje të madhe për të rifituar konkurrueshmërinë globale në fushën e teknologjisë.
“Ne nuk duhet t’u lejojmë SHBA-së dhe Kinës të përcaktojnë të ardhmen teknologjike të botës, për hir të mirëqenies, sigurisë dhe, në fund, lirisë sonë”, tha Merz në Berlin gjatë nisjes së “Agjendës së Lartë Teknologjike” të qeverisë, e cila synon të forcojë sektorin teknologjik në vend.
Evropa ka qenë gjithmonë e aftë të formësojë një të ardhme më të mirë për qytetarët e saj, shtoi Merz, duke pranuar se, “kemi qenë aq të suksesshëm në këtë, sa ndoshta jemi bërë pak shumë të vetëkënaqur kohët e fundit. Por kjo është diçka që mund të korrigjohet”.
Ai theksoi se Gjermania dhe Evropa duhet të jenë të pavarura në fushën e teknologjisë, veçanërisht në një kohë kur po shfaqet një konflikt i ri sistemik midis shteteve autoritare dhe atyre liberale.
“Po përjetojmë varësi të njëanshme. Dhe këto varësi po shfrytëzohen edhe në luftërat për pushtet politik”, paralajmëroi Merz.
Sipas kancelarit gjerman, nuk është e sigurt që Gjermania dhe për rrjedhojë edhe Evropa do të mbetet një aktor i rëndësishëm në rendin e ri global.
Ai theksoi nevojën që kontinenti të rifitojë ndikimin përmes udhëheqjes në inovacion.
Merz, i cili mori detyrën në maj, tha se nxitja e inovacionit është një përparësi kryesore e administratës së tij, e cila ka premtuar të shpenzojë të paktën 3.5% të prodhimit të brendshëm bruto për kërkim dhe zhvillim deri në vitin 2030.
Për këtë qëllim, ai shpjegoi se “Agjenda e Lartë Teknologjike” synon të riorientojë plotësisht politikat ekonomike dhe kërkimore drejt konkurrueshmërisë, krijimit të vlerës dhe sovranitetit teknologjik. /Ad.Ab./