BERLIN – Scholz: Qeveria mbështet bisedimet ndërpartiake të migracionit

BERLIN, 7 shtator /ATSH-DPA/- Qeveria e koalicionit të Gjermanisë do të luajë rolin e saj në sigurimin e suksesit të bisedimeve ndërpartiake për frenimin e migracionit, tha sot kancelari Olaf Scholz mes një atmosfere gjithnjë e më të nxehtë në vend lidhur me këtë çështje.
“Nuk do të jetë faji ynë nëse këto bisedime nuk funksionojnë. Shpresoj se do të funksionojnë, sepse do të ishte mirë për shoqërinë dhe paqen”, tha ai gjatë nje takimi në zonën e tij zgjedhore Teltow – në shtetin lindor të Brandenburgut pranë Berlinit.
Tre partitë e koalicionit dhe opozita konservatore do të takohen së bashku me krerët e 16 shteteve federale të vendit të martën për të hartuar një qëndrim të përbashkët.
Nisma ndërpartiake u thirr pas incidentit ku një 26-vjeçar sirian sulmoi me thikë në një festival në qytetin perëndimor gjerman të Solingen më 23 gusht. Tre persona vdiqën dhe tetë të tjerë u plagosën.
Përpara bisedimeve, Friedrich Merz, kreu i bllokut konservator të opozitës CDU/CSU, tha se ai ishte i përgatitur të vazhdonte bisedimet vetëm nëse migrantët pa dokumente ktheheshin menjëherë në kufijtë e Gjermanisë. //a.i/