E Diel, 1 Nëntor 2026

BERZH për ekonominë shqiptare: Ekonomia ka pësuar rritje nga turizmi dhe ndërtimi

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka rritur me 0,1 pikë përqindjeje parashikimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë në vitin 2026, nga 3,4% që vlerësonte në qershor, në 3,5%. I njëjti ritëm rritjeje pritet edhe për vitin 2027. Sipas bankës, rishikimi lidhet me reformat dhe investimet që shoqërojnë procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Ekonomia shqiptare u rrit me 3,8% në vitin 2025 dhe me 3,7% në tremujorin e parë të këtij viti.
Por rritja nuk është shpërndarë njësoj mes sektorëve. Administrata publike, pasuritë e paluajtshme dhe ndërtimi kanë qenë nxitësit kryesorë, ndërsa industria dhe bujqësia kanë vijuar të tkurren.
BERZH e lidh dobësinë e këtyre dy sektorëve me forcimin e lekut, kërkesën e dobët në tregjet e huaja dhe rritjen e pagave, të cilat kanë shtuar presionin mbi konkurrueshmërinë.

Turizmi dhe paratë e dërguara nga emigrantët kanë ndihmuar në ngushtimin e deficitit të llogarisë korrente në fillim të vitit. Megjithatë, deficiti i tregtisë së mallrave është zgjeruar, çka tregon se të ardhurat nga shërbimet dhe remitancat po kompensojnë vetëm pjesërisht dobësinë në shkëmbimet tregtare.
Në tremujorin e parë, flukset neto të investimeve të huaja direkte u rritën me 11% në krahasim me një vit më parë, të përqendruara kryesisht te pasuritë e paluajtshme dhe ndërmjetësimi financiar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›