E Diel, 1 Nëntor 2026

BM – Angazhimi për Ishujt Falkland është “i palëkundur”

  1. LONDËR, 4 shtator /ATSH – DPA/ – Angazhimi i Mbretërisë së Bashkuar ndaj Ishujve Falkland është “absolut dhe i palëkundur”, deklaroi sekretari britanik i Mbrojtjes, Wes Streeting, pas deklaratave të presidentit argjentinas Javier Milei se vendi i tij duhet t’i rimarrë ishujt.

Në një fjalim drejtuar kombit, Milei përsëriti pretendimin e Argjentinës mbi Ishujt Falkland dhe tha se do të vendoste sanksione ndaj kompanive të naftës që operojnë në këtë zonë.

Tensionet e reja lidhur me territorin britanik përtej detit u shtuan pasi Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, la të kuptohej se Uashingtoni mund të mos e ndihmonte Mbretërinë e Bashkuar në një konflikt të ardhshëm për Falklandet.

Pas fjalimit të Mileit, Streeting shkroi në rrjetet sociale se deklaratat e presidentit argjentinas “na tregojnë më shumë për politikën e brendshme në Argjentinë sesa për Ishujt Falkland”.

“Falklandet janë britanike sepse banorët e Falklandeve zgjedhin të jenë britanikë. Angazhimi ynë ndaj Falklandeve është absolut dhe i palëkundur”, deklaroi ai.

Në një referendum të zhvilluar në vitin 2013, banorët e Ishujve Falkland votuan me shumicë dërrmuese për të mbetur territor britanik përtej detit. 99.8% votuan pro, ndërsa vetëm tre persona votuan kundër.

Edhe pse SHBA-ja zyrtarisht mban një qëndrim neutral për sovranitetin mbi ishujt, Uashingtoni mbështeti Britaninë gjatë fushatës për rimarrjen e Falklandeve pas pushtimit argjentinas në vitin 1982.  /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›