BM – Mahmood njofton ndryshimet për një sistem më të ashpër azili

LONDËR, 17 nëntor /ATSH-DPA/ – Sekretarja e Brendshme britanike, Shabana Mahmood deklaroi se Britania e Madhe po shënjestrohej nga trafikantët e qenieve njerëzore nëpër Evropë, ndërsa prezantoi sot planet për të ashpërsuar sistemin e azilit në vend.
Mahmood njoftoi ndryshime të gjera, të hartuara për të hedhur poshtë idenë sipas së cilës BM është një vend tërheqës për azilkërkuesit dhe për të forcuar procesin e largimit të personave që nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në vend.
Planet, të paraqitura në një deklaratë qeveritare, kanë hasur tashmë rezistencë nga laburistët.
Por, kryeministri Keir Starmer tha se sistemi i azilit nuk ishte projektuar për të përballuar një botë më të paqëndrueshme dhe më të pasigurt ose një situatë ku kërkuesit e azilit kalonin përmes shumë vendeve të sigurta, përpara se të përpiqeshin të kalonin La Manshin me varka.
”Nëse duam të shohim më pak kalime në La Mansh, më pak shfrytëzim dhe një sistem më të drejtë me rrugë të sigurta dhe legale, na duhet një qasje me efekt më të fortë pengues dhe rregulla që zbatohen me rigorozitet”, tha ai.
Sekretarja e Brendshme tha se MB-ja shihej nga kërkuesit e azilit si një destinacion më tërheqës se vendet e tjera europiane.
”Ndërsa disa janë refugjatë të vërtetë, të tjerë janë migrantë ekonomikë, që kërkojnë të përfitojnë nga sistemi i azilit”, shtoi ajo.
Masat përfshijnë shkurtimin e kohës që refugjatët mund të qëndrojnë fillimisht në BM nga pesë vjet në një sistem mbrojtjeje bazë 30-mujore, i cili mund të rinovohet vetëm nëse nuk është e sigurt të kthehen.
Nuk do të ketë të drejtë automatike për ribashkimin familjar për refugjatët nën mbrojtje.
Strehimi dhe pagesat javore nuk do të jenë më të garantuara për kërkuesit e azilit, dhe ata që mund të punojnë ose kanë pasuri do të duhet të kontribuojnë në kostot e tyre në MB.
Mahmood foli gjithashtu për një qasje të planifikuar më të fortë për largimin e kërkuesve të azilit që kanë dështuar.
”Ne do të largojmë njerëz që nuk i kemi larguar më parë, përfshirë familjet që kanë një vend të sigurt ku mund të kthehen”, përfundoi ajo./ /Ad.Ab./