BM – Qeveria pezullon dhjetëra licensa eksporti për shitjen e armëve në Izrael

LONDËR, 2 shtator /ATSH-DPA/- Qeveria e Britanisë së Madhe po pezullon rreth 30 licensa të eksportit të armëve në Izrael për shkak të shqetësimeve se ekziston një “rrezik i qartë” se ato mund të përdoren për të shkelur ligjin ndërkombëtar humanitar.
Sekretari i Jashtëm David Lammy tha se një rishikim i kryer nga qeveria britanike nuk mund të arbitrohej nëse Izraeli ka shkelur apo jo ligjin ndërkombëtar humanitar në Gazë, por ministrat kanë një detyrë ligjore të rishikojnë licensat e eksportit.
Lammy tha se kriteret thonë se qeveria nuk do të lëshojë licensa eksporti nëse ekziston një rrezik i qartë që artikujt mund të përdoren për të kryer ose lehtësuar shkelje serioze të ligjit ndërkombëtar humanitar.
Ai njoftoi gjithashtu sanksione të reja ndaj katër objektivave të forcave të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), të cilët kanë një rol në mbështetjen e veprimeve të përfaqësuesve iranianë në Irak, Siri dhe Liban.
“Kam informuar sekretarin e Biznesit dhe Tregtisë dhe për këtë arsye ai po njofton sot pezullimin e rreth 30 nga një total prej rreth 350 subjekteve në Izrael, siç kërkohet nga Akti i Kontrollit të Eksportit”, tha ai.
“Këto përfshijnë pajisje që ne vlerësojmë se janë për përdorim në konfliktin aktual në Gazë”, shtoi ai.
“Ne kemi sanksionuar mbi 400 individë dhe entitete iraniane dhe përmes punës sonë me partnerët, ne po ekspozojmë dhe frenojmë zhvillimin destabilizues të armëve të Iranit, ku së shpejti do të prezantojmë një rregullore të mëtejshme për të forcuar ndalimet ekzistuese për eksportin e mallrave dhe teknologjisë të rëndësishme për prodhimin e dronëve dhe raketave të Iranit”, tha sekretari i Jashtëm në lidhje me sanksionet kundër njerëzve dhe subjekteve të lidhura me IRGC-në. //a.i/