BM – Starmer bisedon me shefat e BE-së ndërsa blloku angazhohet për të forcuar mbrojtjen

LONDËR, 7 mars /ATSH-DPA/- Kryeministri britanik, Keir Starmer bisedoi sot me shefat e BE-së pasi blloku u angazhua për të forcuar mbrojtjen evropiane përballë mbështetjes së reduktuar të sigurisë së SHBA-së.
Starmer zhvilloi një bisedë telefonike me liderët e Kanadasë, Norvegjisë, Turqisë dhe Islandës, si dhe shefen e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa.
Starmer tha se thirrja ishte kryesisht për të ofruar një përditësim mbi takimin e Këshillit të BE-së të enjten, gjatë të cilit krerët e vendeve të BE-së mbështetën lëvizjen për të zhbllokuar qindra miliarda euro për sigurinë.
Gjatë natës, presidenti amerikan Donald Trump shprehu pasiguri lidhur me ndihmën e SHBA-së ndaj vendeve të tjera në aleancën e NATO-s – në rast se ato nuk i përmbushnin objektivat e shpenzimeve ushtarake.
Starmer dhe presidenti francez Emmanuel Macron kanë kërkuar vende që do të ishin të gatshme të mbështesnin një marrëveshje paqeje për t’u bashkuar me të ashtuquajturën “koalicioni i vullnetarëve”.
Trump ka folur në mënyrë të përsëritur për nevojën që aleatët e NATO-s të rrisin shpenzimet e mbrojtjes.
Në fillim të kësaj jave, Trump ndërpreu ndihmën ushtarake dhe shkëmbimin e informacioneve të shërbimeve sekrete me Ukrainën, pas përplasjes së tij me homologun e tij ukrainas Volodymyr Zelensky në Zyrën Ovale, javën e kaluar.
Sidoqoftë, negociatat midis Kievit dhe Uashingtonit duket se po kthehen në rrugën e duhur, pasi Zelensky konfirmoi se bisedimet do të zhvillohen në Arabinë Saudite javën e ardhshme, pasi një i dërguar i administratës Trump tha më parë se ato ishin në vazhdim e sipër. //a.i/