BOTA
• LAJME SHKURTTërmet i fuqishëm në Athinë, pa viktima në njerëz Dje një tërmet i fuqishëm me intensitet 6.7 shkallë Rihter ka tronditur Athinën, duke shkaktuar panik te popullata, por fatmirësisht jo dëme në njerëz. Tërmeti ka ndodhur rreth orës 7 e 14 minuta të mëngjesit me orën lokale dhe shumë nga banorët e kryeqytetin grek kanë braktisur shtëpitë. Policia konfirmoi se tërmeti nuk shkaktoi dëme serioze apo viktima. Ky tërmet u ndje në një gjatësi territoriale prej 150 kilometrash. Sipas sizmologëve, ai ka prekur edhe jugun e Italisë, edhe pse në një shkallë më të ulët Rihteri. Edhe aty pa viktima. Bush në Lindjen e Mesme, "Ta presim me bomba" Presidenti amerikan, Xhorxh Bush, konfirmoi për të martën vizitën e tij në Lindjen e Mesme, duke sqaruar se ajo ka për qëllim nxitjen e paqes midis izraelitëve dhe palestinezëve. Sipas tij, është e rëndësishme që bashkësia ndërkombëtare të përballet me "ambiciet agresive të Iranit". Gjatë vizitës 8-ditore në këtë rajon, e cila nis më 8 janar, Bush do të vizitojë Izraelin, Bregun Perëndimor, Kuvajtin, Bahrejnin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabinë Saudite dhe Egjiptin. Vizita e tij është parë keq nga grupet militante islamike të rajonit. Në faqet e internetit ata bëjnë thirrje për një pritje "madhështore me bomba" për presidentin Bush.Gjeorgji, Sakashvill rifiton mandatin presidencial Zgjedhjet presidenciale në Gjeorgji i kanë plotësuar shumicën e standardeve ndërkombëtare demokratike dhe se rezultatet duhet të njihen si legjitime. Kështu deklarojnë vëzhguesit ndërkombëtarë për zgjedhjet presidenciale të zhvilluara në këtë vend, me gjithë regjistrimin e disa mangësive. Alsi Hestings, shef i ekipit të monitoruesve zgjedhorë nga OSBE-ja, tha se "dallimi ndërmjet veprimtarive shtetërore" dhe fushatës zgjedhore të zotit Sakashvilli ishte i paqartë. Paraprakisht, sipas Komisionit Qendror Zgjedhor, Mikhail Sakashvilli po udhëheq me 59 për qind të votave. Numërimi vazhdon. Musharaf: Buto zgjodhi rrezikun, u ekspozua vetë Presidenti i Pakistanit, Pervez Musharaf, deklaroi se liderja e opozitës, Benazir Buto, i ishte ekspozuar rrezikut. Musharaf tha, se Buto është për t'u fajësuar për vdekjen për faktin që kishte mbajtur kokën jashtë veturës me të cilën lëvizte. Qeveria e Musharafit më parë kishte deklaruar se Buto kishte vdekur jo nga të shtënat, por nga goditja me kokë e automjetit. Hetuesit britanikë kanë ekzaminuar vendin në të cilin është vrarë ish- kryeministrja e Pakistanit, Benazir Buto. Opozita pakistaneze ka kërkuar hetim të pavarur nga Kombet e Bashkuara.