BOTËRORI 2026 – FIFA justifikon anulimin e golit që “shokoi” Gjermaninë dhe ndryshoi fatin e kualifikimit

LONDËR, 1 korrik /ATSH/- FIFA ka sqaruar pse u anulua goli i Gjermanisë ndaj Paraguajit në kohën shtesë, duke thënë se gjyqtarët dhe ekipet, ishin informuar më parë, se raste të tilla të pengimit, do të shoqëroheshin me ndëshkime, shkruan BBC.
Jonathan Tah mendoi se kishte shënuar për 2–1, por VAR (Arbitri Asistent me Video) ndërhyri dhe gjyqtari Jalal Jayed e anuloi golin. U vendos se Waldemar Anton kishte penguar portierin e Paraguajit, Orlando Gill.
Ndeshja përfundoi 1–1 dhe Paraguaji fitoi më pas 4–3 me penallti. Vetë Tah humbi penalltinë e tij, duke i dhënë mundësi Paraguajit të sigurojë kualifikimin.
Trajneri i Gjermanisë, Julian Nagelsmann, e kritikoi vendimin, duke thënë se faulli nuk ishte i vërtetë dhe se anulimi ishte i tepruar.
Nga ana tjetër, Pierluigi Collina, kreu i arbitrave në FIFA tha se, arbitrat janë udhëzuar të ndëshkojnë situata kur një lojtar sulmues nuk shkon për topin, por lëviz qëllimisht për të penguar kundërshtarin, sidomos portierin, duke ia vështirësuar mbrojtjen.
Sipas tij, edhe nëse nuk ka faull klasik, pengimi i qëllimshëm mund të ndëshkohet. VAR duhet të ndërhyjë kur kjo ndikon në aftësinë e portierit për të reaguar dhe ekipet ishin paralajmëruar më parë, për këtë interpretim të rregullit.
Analiza e situatës, megjithatë, mbetet e debatueshme. Disa ekspertë mendojnë se ishte një vendim i ashpër dhe se përplasja fizike u krijua më shumë, nga lëvizja e portierit sesa nga sulmuesi.
Në fund, thelbi i vendimit është ky, FIFA po e trajton “bllokimin e portierit” si faull të ndëshkueshëm, edhe kur nuk duket si faull klasik, nëse ndikon në lojë. //a.i/