BRUKSEL – Aleanca e ekstremit të djathtë të Orbanit krijon grupin e Parlamentit Evropian

BRUKSEL, 8 korrik /ATSH-DPA/- Aleanca e re e partive të ekstremit të djathtë të kryeministrit hungarez Viktor Orban, “Patriotët për Evropën”, u themelua zyrtarisht sot si një grup politik në Parlamentin Evropian.
“Patriotët për Evropën” do të luftojnë për të ardhmen dhe sovranitetin e popullit evropian”, tha zëdhënësi i Orban, Zoltan Kovacs në X duke njoftuar krijimin e grupit të ri.
Ky do të jetë grupi i tretë më i madh i parlamentit.
Partitë politike kombëtare zakonisht bashkohen në grupe të ndryshme pan-evropiane në parlament dhe shpesh votojnë si blloqe të vetme.
“Patriotët për Evropën” përmbushën kërkesat për të krijuar grupin e tyre të ri pasi partitë politike nga më shumë se shtatë vende të BE njoftuan synimin e tyre për t’u bashkuar – një hap kyç sipas rregullave të parlamentit.
“Patriotët për Evropën” raportuan se grupi do të ketë 84 anëtarë në Parlamentin Evropian për momentin. Grupit i nevojitet minimumi 23 ligjvënësish sipas rregullave të parlamentit.
Si dhe partia “Fidez” e Orban, partia e ekstremit të djathtë në Itali “Liga”, e cila është pjesë e qeverisë italiane, “Tubimi Kombëtar” i Francës (RN) dhe “Partia e Lirisë” nga Austria janë gjithashtu pjesë e grupit.
Grupi organizoi sot mbledhjen e tij themeluese në Bruksel.
Jordan Bardella i “Tubimit Kombëtar”, dhe një aktivist kyç në zgjedhjet e fundit parlamentare të vendit, do të jetë presidenti i grupit të ri.
RN arriti rezultatin më të madh në Francë në zgjedhjet e Parlamentit Evropian të 9 qershorit, por në zgjedhjet e parakohshme franceze, nacionalistët e krahut të djathtë dolën të tretët. //a.i/