E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

BRUKSEL – Arrihet marrëveshja tregtare BE-Mercosur pas gati 25 vitesh bisedimesh

BRUKSEL, 6 dhjetor /ATSH-DPA/- Komisioni Evropian dhe blloku tregtar i Amerikës së Jugut “Mercosur” njoftuan sot arritjen e marrëveshjes për të krijuar një zonë të madhe të tregtisë së lirë, pas gati 25 vitesh bisedimesh.

“Marrëveshja BE-Mercosur shënon fillimin e një historie të re”, tha presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në X, ndërsa ndodhet në kryeqytetin uruguaian, Montevideo.

Marrëveshja e tregtisë së lirë përfshin mbi 700 milionë njerëz, duke e bërë atë një nga zonat më të mëdha të tregtisë së lirë në botë.

Ajo përfshin Brazilin, Argjentinën, Paraguajin dhe Uruguain. Bolivia, një anëtare e re e “Mercosur”, dhe Venezuela, e cila është pezulluar që nga viti 2016, nuk përfshihen.

Qëllimi kryesor i marrëveshjes është nxitja e tregtisë duke ulur tarifat.

Gjithashtu, kjo do të lejojë vendet e Amerikës së Jugut të eksportojnë sasi më të mëdha të mishit të viçit, pulës ose sheqerit në Evropë pa paguar detyrime doganore. /a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›