E Diel, 1 Nëntor 2026

BRUKSEL – BE akordon 120 milionë euro për mbrojtjen ajrore të Moldavisë

BRUKSEL, 13 korrik /ATSH-AFP/ – Bashkimi Evropian ka miratuar një paketë ndihme prej 120 milionë eurosh për të forcuar kapacitetet e mbrojtjes ajrore të Moldavisë, në përgjigje të kërcënimeve në rritje nga dronët që lidhen me luftën në Ukrainë.

Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në shkurt 2022, hapësira ajrore e Moldavisë është shkelur dhjetëra herë.

Vetëm gjatë natës së kaluar, policia moldave njoftoi se një dron u gjet pranë fshatit lindor Kopanka, pa shkaktuar viktima.

Ministria moldave e Mbrojtjes identifikoi mjetin fluturues si një dron rus “Geran-2”, i pajisur me një ngarkesë shpërthyese prej 40 kilogramësh.

Sipas autoriteteve, eksplozivi u neutralizua me sukses nga specialistët.

Ministria e Jashtme e Moldavisë e dënoi ashpër incidentin, duke e cilësuar si një “shkelje të rëndë dhe të papranueshme” të hapësirës ajrore të vendit.

Ajo mirëpriti gjithashtu vendimin e Bashkimit Evropian për ndihmën financiare.

Sipas autoriteteve moldave, fondet e BE-së do të kontribuojnë në modernizimin e mbrojtjes ajrore të Ushtrisë Kombëtare në afat të mesëm.

Edhe Rumania fqinje, anëtare e NATO-s, është përballur disa herë me rënien e dronëve në territorin e saj gjatë konfliktit në Ukrainë./  /Ad.Ab./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›