BRUKSEL – BE garanton stabilitetin e energjisë ndërsa Sllovakia kritikon ndërprerjen e tranzitit të gazit rus nga Kievi

BRUKSEL, 10 janar /ATSH-DPA/- Kryeministri sllovak, Robert Fico kundërshtoi dje vendimin e Ukrainës për të ndërprerë tranzitin e gazit rus në Bashkimin Evropian, duke përsëritur paralajmërimet e tij për një hakmarrje të mundshme kundër Kievit.
Fico, të cilin kritikët e akuzojnë për njëanshmëri pro-ruse, tha se Sllovakia mund të ndalonte ndihmën humanitare për Ukrainën dhe të ndalonte furnizimin me energji elektrike në situata emergjente, ose të shkurtonte përfitimet për refugjatët ukrainas në Sllovaki – por vetëm si mjeti i fundit.
Deklarata e tij erdhi pas bisedimeve me komisionerin e BE-së për Energjinë, Dan Jørgensen, në Bruksel – ku ata ranë dakord të ngrinin një grup pune për të gjetur opsione për të ndihmuar Sllovakinë.
Gazi rus që rrjedh drejt Evropës nëpërmjet Ukrainës u ndalën më 1 janar – pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky refuzoi të vazhdonte bashkëpunimin prej disa dekadash me Moskën.
Ukraina ka akuzuar vendet që ende blejnë energji nga Rusia se kanë ndihmuar në furnizimin e makinës së luftës së Moskës.
Sipas Fico, vendimi i Ukrainës për të ndaluar transitin e gazit rus nuk është thjesht një gjest bosh politik, por një veprim jashtëzakonisht i kushtueshëm – që do të jetë në kurriz të të gjithë Bashkimit Evropian.
Kryeministri tha më herët se Sllovakia, e cila kufizohet me Ukrainën, do të humbiste gati 500 000 euro në vit në tarifat e tranzitit për transportimin e gazit në vendet e tjera të BE-së.
“Zgjidhja, ishte që Ukraina të rifillonte furnizimet me gaz ose të kompensonte mungesën financiare”, tha Fico.
Sllovakia gjithashtu mbështetet në gazin rus. //a.i/