BRUKSEL – BE i ofron Moldavisë 250 milionë euro për të reduktuar lidhjet energjetike me Rusinë

BRUKSEL, 4 shkurt /ATSH-DPA/ – Komisioni Evropian i ofroi sot Moldavisë deri në 250 milionë euro (258 milionë dollarë) për të ndihmuar popullsinë në vështirësi dhe për të reduktuar varësinë energjetike të vendit nga Rusia.
“Ne do të ndihmojmë në uljen e kostove në rritje të energjisë për të gjithë moldavët, veçanërisht për familjet, shkollat, spitalet dhe bizneset më të ekspozuara”, tha komisionerja e Zgjerimit të BE-së, Marta Kos.
”Një disbursim prej 100 milionë euro do të sigurohet deri në mes të prillit”, tha komisioni.
”60 milionë euro shtesë janë vënë në dispozicion për rajonin e shkëputur të Transdnistrias, në varësi të përparimit në liritë themelore dhe të drejtat e njeriut”, tha komisioni.
Rusia ndërpreu furnizimin me gaz për Moldavinë dhe Transdnistrian pro ruse në fillim të vitit, me Moskën që akuzoi Kishinevin se nuk kishte paguar borxhet e gazit në vlerën ekuivalente prej 700 milionë eurosh.
“Si rezultat, një krizë serioze energjetike ka shpërthyer me pasoja të rënda ekonomike dhe sociale për banorët në Moldavi dhe një ndikim shkatërrues në jetesën e njerëzve në rajonin e Transdnistrias”, tha komisioni.
Në planin afatgjatë, komisioni planifikon të mbështesë Moldavinë në marrjen e energjisë së rinovueshme dhe të heqë plotësisht importet ruse të energjisë.
Javën e kaluar komisioni i ofroi Moldavisë ndihmë urgjente me vlerë 30 milionë euro.
”Më shumë se 350 000 banorë në Transdnistria u lanë në errësirë dhe në të ftohtë sepse Rusia vendosi të ndalojë dërgesat e saj të gazit”, tha në atë kohë presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen./ a.jor.