BRUKSEL – BE-ja miraton uljen e tarifave ndaj SHBA-së

BRUKSEL, 28 nëntor /ATSH/ – Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian miratuan sot uljen e tarifave për importet nga SHBA-ja, pas marrëveshjes së diskutueshme të arritur në verë mes Komisionit Evropian dhe administratës së Donald Trump, sipas “Euronews”.
Pavarësisht kritikave se marrëveshja dëmton prodhuesit evropianë, shumica e vendeve anëtare vendosën ta mbështesin atë për të shmangur tensione të mëtejshme tregtare me Uashingtonin.
Marrëveshja parashikon që BE-ja të heqë tarifat për shumicën e mallrave industriale amerikane, ndërsa eksporteve evropiane në SHBA do t’u aplikohet një tarifë prej15%.
SHBA-ja ka kërkuar që procesi të përshpejtohet, duke dërguar këtë javë një delegacion zyrtar në Bruksel për të ushtruar presion mbi vendet anëtare.
Një nga çështjet më të debatueshme ishte futja e një “klauzole perëndimi”, që do të anulonte uljet tarifore pas pesë vitesh nëse marrëveshja nuk rinovohet.
Shtetet anëtare miratuan gjithashtu një klauzolë që i jep Komisionit Evropian kompetencën ta pezullojë marrëveshjen nëse SHBA-ja nuk e zbaton siç duhet atë, si dhe një mekanizëm mbrojtës në rast se importet amerikane rriten në nivele që dëmtojnë tregun evropian.
Megjithëse marrëveshja është kritikuar si një kompromis i rëndë për Evropën, Komisioni ka argumentuar se në mungesë të saj, BE-ja do të përballej me tarifa edhe më të larta dhe kërcënime të vazhdueshme ekonomike nga Uashingtoni.
Parlamenti Evropian pritet të bëjë presion për rikthimin e idesë së “klauzolës së perëndimit”, teksa raportuesi kryesor, eurodeputeti gjerman Bernd Lange, e ka përfshirë atë në raportin e tij. Këshilli dhe Parlamenti duhet të arrijnë një marrëveshje përfundimtare të përbashkët deri pranverën e ardhshme.
Ndërkohë, Komisioni shpreson që procesi të mos rihapet nga frika se çdo ndryshim mund të shkaktojë një përshkallëzim të ri dhe të hapë rrugën për një luftë të re tregtare me SHBA-në. /Ad.Ab./